Takimi mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Foto: Albin Kurti Twitter

Kurti: Procesi i dialogut nuk ka qenë i padobishëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka vlerësuar si të padobishëm procesin e dialogut Kosovë Serbi gjatë qeverisjes së tij.

Ai e ka mbështetur këtë deklaratë, duke përmendur marrëveshjen e arritur për targat.

“Është e vërtetë që janë zhvilluar dy takime, mirëpo procesi i bisedimeve nuk ka qenë i padobishëm, atje kemi arritur një marrëveshje për targat”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti tha se për marrëveshjen ligjërisht të obligueshme duhet të ndryshoj Serbia, ndërsa tha se nuk varet nga ai se kur do të zhvillohen takimet e reja në Bruksel.

“Kur do të zhvillohen takimet nuk varet prej meje, besoj që vitin e ardhshëm do të ketë një dialog i cili i kontribuon paqes”, tha ai.

Kryeministri Kurti ka folur edhe për vizitën e mundshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e që sipas tij pritet ta realizoj në fillim të vitit të ardhshëm.

“Vizita do të bëhet sa më parë në fillimin e vitit kur do të hymë sepse ende janë duke biseduar”, tha Kurti.

Në shtator të këtij viti është arritur marrëveshja për targat mes Kosovës e Serbisë.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (PSBE) për Dialogun Kosovë – Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak përmes një postimi në Tëitter në shtator kishte thënë se është arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë rreth çështjes së targave të veturave.

“Ne kemi një marrëveshje! Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për de-përshkallëzimin dhe rrugën përpara sapo është arritur. Falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe pajtuar për të mirën e njerëzve”, ka shkruar ai.

Ndëraq, një vizitë të mundshme në shtetin më të fuqishëm në botë në ShBA, Kurti e kishte paralajmëruar gjatë një debati me deputetët e opozitës gjatë muajit shtator në Kuvend, tek kishte thënë se do të udhëtojë në Amerikë gjatë muajit nëntor të këtij viti.

Por zyra e kryeministrit Albin Kurti kishte njoftuar se vizita pritet që të shkoj për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në pjesën e parë të vitit 2022.

“Kryeministri Kurti do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e paralajmëruar për në nëntor është shtyrë për në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Që nga marrja e detyrës, tetë muaj më parë, kryeministri Kurti ka zhvilluar vizita zyrtare në qendra të rëndësishme perëndimore si Bruksel, Paris e Vjenë e që do të vazhdojnë edhe në qendra të tjera vendimmarrëse, përfshirë Uashingtonin”, njoftoi Qeveria.