G7 i bën thirrje Serbisë të vendos sanksione ndaj Rusisë

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7 kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët pas takimit në Gjermani, ku i kanë bërë thirrje Serbisë të vendos sanksione ndaj Rusisë.

G7 ka përgëzuar Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut për përafrimin e plotë të politikave të tyre të jashtme me BE-në, përfshirë sanksionet dhe zbatimin e tyre.

“Ne mirëpresim që Ballkani Perëndimor të qëndrojë i bashkuar në dënimin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, veçanërisht në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ne përgëzojmë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut për përafrimin e plotë të politikave të tyre të jashtme me BE-në, përfshirë sanksionet dhe zbatimin e tyre. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të bëjë të njëjtën gjë”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Në komunikatën e përbashkët e ministrave të Jashtëm të G7 thuhet se mirëpresin përafrimin e Bosnjë-Hercegovinës me masat kufizuese të BE-së ndaj Rusisë dhe përafrimin e vullnetshëm të Kosovës me ato masa.

Ky grup, që përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia kanë përsëritur thirrjen e vazhdueshme ndaj Rusisë që t’i jap fund luftës.

“Ne jemi të palëkundur në mbështetjen tonë për Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër luftës së pajustifikueshme, të paprovokuar dhe të paligjshme të agresionit të Rusisë dhe përsërisim thirrjen tonë të vazhdueshme ndaj Rusisë që t’i japë fund luftës që filloi dhe t’i japë fund vuajtjeve dhe humbjeve të jetëve që ajo vazhdon të shkaktojë”, thuhet tutje në komunikatë.

Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara (G7) i bëri thirrje Kinës që të mbështesë sovranitetin e Ukrainës dhe të mos e ndihmojë Rusinë, duke paralajmëruar se lufta e paprovokuar e Moskës kundër Ukrainës ka kërcënuar botën duke shkaktuar krizë të rëndë të ushqimit dhe energjisë.

G7 bëri këtë paralajmërim përmes një deklarate më 14 maj, pas përfundimit të takimit treditor në Gjermani.