Hashim Thaçi gjate nje bashkebisedimi ne Paris Foto: Hashim Thaçi Facebook

Thaçi: Kundërshtarët e marrëveshjes me Serbinë kanë qëllim thyerjen e Evropës

Presidenti Thaçi i ka dhënë një rezyme qëndrimit të tij në Paris gjatë forumit të paqes. Ai ka folur për deklaratat dhe bisedat që i ka pasur atje.

Presidenti thotë se ka kërkuar nga përfaqësuesit e shteteve që të mbështesin dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, bota nuk duhet të lejoj që disa forca shkatërruese të ngadhënjejnë mbi mendjet e tjera.

“Qytetarët e Ballkanit e njohin shumë mirë konfliktin e interesave, ndikimeve dhe ideologjive. Por, bota demokratike assesi nuk duhet të lejojë që forcat shkatërruese të ngadhënjejnë mbi mendjet dhe kryeqytetet e Ballkanit, Evropës dhe më gjerë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Thaçi ka hedhur edhe konspiracioni të llojit, se kundërshtarët e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë e kanë për qëllim thyerjen e Evropës.

“Kundërshtarët e paqes janë në dijeni se një marrëveshje paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta prekte planin e tyre destruktiv, plan ky që synon të thyejë Evropën, të shemb standardet demokratike, të mashtrojë dhe të përçajë evropianët dhe të imponojë një moral të vjetër, që e kanë vuajtur dhe duruar gjatë gjeneratat e përparme”, ka shkruar tutje ai.

Ai në mes tjerash thotë se popujt e dyja vendeve i’a kanë borxh vetës dhe evropës që ta zhdukin vijën e frontit që ka lënduar rajonin me shekuj.

Presidenti Thaçi ka qëndruar në Paris gjatë ditës së djeshme në forumin e paqes.

Para se të udhëtonte për në Paris, ai kishe mbajtur takim të përbashkët me homologun e tij serb, Vuçiq dhe përfaqësuesen e BE-së, Mogherini në kuadër të fazës finale të dialogut.