Thaçi: Albin Kurti ma kishte konfirmuar takimin të premten

Presidenti Hashim Thaçi ka folur për refuzimin e kryeministrit Albin Kurti për t’u takuar me të sot gjatë ditës.

Presidenti Thaçi i ka takuar kryetaret e partive politike sot gjatë ditës, mirëpo në takim nuk i shkoi ai i Vetëvendosjes, kryeministri Albin Kurti.

Thaçi përmes një konference për media tha se ky takim ishte konfirmuar të premten nga Zyra e Kryeministrit.

“Për sot ka qenë e planifikuar, dakorduar e konfirmuar që të ndodhë një takim me kryeministrin dhe liderin e VV, Albin Kurtit. Për fat të keq edhe pse takimi ka qenë i konfirmuar nga zyra e tij të premten, për sot në ora 13:00, me kërkesën e tij takimi ishte planifikuar të ndodhë në ora 13:00, mirëpo për fat të keq 5 minuta para orës 13:00 është anuluar”, tha para mediave presidenti Thaçi.

Atij nuk i ka mbetur “hatri”, duke thënë se është i gatshëm ta takojë përsëri Albin Kurtin.

“Unë do ta takoj kur mendon se është me interes të takohet, por Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe për t’i pritur teket e askujt. Kosova ka nevojë për unitet politik”, tha mes tjerash Thaçi.