Palmer: Shtetësia e Kosovës është e pakthyeshme, duhet ta çlironi potencialin e këtij vendi

Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perendimor, Matthew Palmer është duke qëndruar në Kosovë.

Pas takimit të sotëm me presidentin Hashim Thaçi, Palmer nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka mbajtur një fjalim.

Në fjalimin e tij, ai ka folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Palmer, marrëdhëniet e përmirësuara mes Kosovës dhe Serbisë hapin mundësinë për investime në Kosovë.

“Marrëdhëniet e përmirësuara dhe përparimi në bisedime me Serbinë hapin mundësinë për investime fitimprurëse që krijojnë vende të reja të punës që mund të përfitojë populli i Kosovës”, tha Palmer.

Ai ka siguruar edhe njëherë se mbështetja e SHBA-së për Kosovës do të vazhdojë, por thotë se SHBA nuk sheh kurrfarë mundësie për integrim të plotë të Kosovës pa pajtim me Serbinë.

“SHBA do të mbështesë dhe do ta përkrahë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës. Por ne nuk shohim kurrfarë mundësie për integrimin ë plotë të vendit tuaj në sistemin ndërkombëtar që nuk përfshin pajtimin me Serbinë”, tha Palmer gjatë fjalimit të tij.

“Shtetësia juaj është e pakthyeshme dhe tani u duhet normalizimi për të çliruar potencialin e madh të këtij vendi”, ka shtuar në mes tjerash ai.