Lajçak flet për hartën në zyrën e tij

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka komentuar debatin që ishte ngritur në Kosovë për një hartë të vendosur në zyrën e tij, ku pretendohej se Kosova ishte pjesë e Serbisë.

“Unë i kam kaluar 20 vite duke punuar për Ballkanin dhe e kuptoj se sa të ndjeshme janë çështje të caktuara. Disa gjëra pa dyshim se janë të ndjeshme. Çfarë kam në zyrën time është harta e rajonit që është sjellë nga shërbimi i BE-së, sepse pa dyshim se nuk kam mbajtur anë me asnjërën palë, e as nuk ishte qëllimi im ofendoja dike”, tha ai në ‘KTV’.

Sipas tij, këto debate janë arsye pse duhet të bëhet dialogu dhe normalizimi i marrëdhenieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo është provë se na duhet dialogu, se na duhet normalizimi i marrëdhënieve , me qëllim që mos të kemi këso  diskutimesh dhe çështje të tilla në të ardhmen”, tha Lajçak më tej.

Në media ditë më parë ishte raportuar për një hartë të Evropës prapa shpinës së Lajçakut, ku pretendohej se Kosova dukej si pjesë të Serbisë. Por ky i fundit kishte reaguar duke thënë se nuk është parë qartë harta.