Thaçi: Krijimi i Ushtrisë nuk është vendim i gabuar por i vonuar

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka thënë që krijimi i Ushtrisë nuk paraqet asgjë të jashtëzakonshme përveç një të drejtë të një populli.

“Asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur javën e kaluar. Në fakt është qëndrim i drejtë. Nëse diçka është gabim – është pritja për 5 vite. Vendimi është i vonuar por assesi i gabuar, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme që është në kundërshtim më 1244, pakon e Ahtisarit, apo me Kushtetutën e Kosovës”, tha ai.

Presidenti Thaçi theksoi se Ushtria e Kosovës do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit  në vend dhe në rajon.

“Ushtria e Kosovës do të sjellë paqe dhe stabilitet. Transformimi nuk është marrë si hap kundër askujt. Ajo është dhe do të mbetet profesionale dhe shumetnike ku 10% janë nga komunitetet, një forcë që do t’i mbrojë të gjithë qytetarët pavarësisht gjuhës që ata flasin. Ushtarët e Kosovës do të jenë ushtarë të paqes dhe Ushtria e Kosovës do të jetë ushtri e stabilitetit në rajon”, tha ai.

Në këtë fjalim presidenti Thaçi po ashtu përmendi edhe dorëheqjet e pjesëtarëve serbë të FSK-së, sipas tij, si pasojë e presionit nga Beogradi zyrtar.

“Më vjen keq që ushtarët e FSK-së janë detyruar të japin dorëheqje nga presioni sistematik i shtetit të Serbisë. Familjet u janë sulmuar , shtëpitë u janë gjuajtur me granata dhe shumë prej tyre janë mbajtur me orë të tëra në pyetje. Më vjen shumë keq që ata kanë dorëzuar uniformën me lot në sy dhe me zemër të thyer. Kërcënimi i vetëm janë thirrjet për luftë që burojnë nga fqinji ynë verior” potencoi ai.

Sipas tij Ushtria e Kosovës nuk do të ndërhyn në misionin e NATO-s.

“Vendimi i Kuvendit për themelim të Ushtrisë është në funksion të ndërtimit të mekanizmave për t’i kontribuar paqes në vend dhe më gjerë. Por kjo nuk ndërhynë në misionin aktual  të NATO-s në Kosovë, KFOR-i ende shihet si shpëtimtar, qytetarët ende u dhurojnë lule ushtarëve të KFOR-it” tha tutje Thaçi.

Presidenti Thaçi gjatë fjalimit të tij në Këshillin e Sigurimit nuk la pa përmendur edhe mosliberalimin e vizave duke thënë që fushata e egër e shtetit serb  e ka detyruar Kosovën të marrë vendimin për taksën.

“Për sa kohë që nuk kemi një marrëveshje përfundimtare do të ketë situata të tilla… Pavarësisht padrejtësive që po na bëhen me viza, e ardhmja e Kosovës dhe e rajonit është në strukturën atlantike, problemi i fqinjit verior nuk është ushtria e Kosovës, por ekzistenca e shtetit tonë. Ju lutem vetëm hidhni një sy fushatës së ndyrë të Serbisë kundër anëtarësimit tonë në INERPOL. Unë ndjej keqardhje për sjelljen e tyre, është më se e natyrshme që të merren masa ndaj produkteve, ky reaksion nuk është provokim por nevojë”, tha presidenti.

Ndërsa duke folur për marrëveshjen përfundimtare Thaçi tha se Kosova është e gatshme për vendime të vështira.

“Paqja është detyrimi ynë ndaj fëmijëve tanë, Kosova është gati, ne jemi gati për vendime të vështira, ne jemi gati për marrëveshje që të përfitojnë dy palët, por nëse nuk shfrytëzohet kjo mundësi do të kemi pasoja të dy palët. Unë besoj që në të ardhmen Kosova dhe Serbia do të ulën në tryezë si dy shtete të pavarura, unë besoj që në të ardhmen ushtarët e Kosovës dhe Serbisë mund të bashkëpunojnë në misione të ndryshme. Unë besoj në një të ardhme për Kosovën dhe rajonin në një të ardhme pa intriga dhe konflikte”, tha Thaçi.