Thaçi: Asnjë segment i krimit serb nuk bën të heshtet

Edhe pas 20 vitesh askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e vrasjeve, dhunimeve, masakrave dhe veprimeve gjenocidale gjatë luftës në Kosovë nuk doli para drejtësisë vendore ose ndërkombëtare.

Kështu është shprehur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në ‘Facebook’, pas seancës dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara në të cilën dëshmoi edhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman.

Thaçi ka shkruar se asnjë segment i krimit serb nuk bën të heshtet, sado i dhembshëm që të jetë.

“Rrëfimi i znj. Vasfije Krasniqi para anëtarëve të Kongresit amerikan edhe njëherë dëshmoi përmasën e dhunës, krimit dhe gjenocidit që shteti i Serbisë ushtroi mbi popullatën e paarmatosur shqiptare në vitet 1998, 1999. Ky rrëfim ngjalli emocione të forta para anëtarëve të pranishëm në Kongresin amerikan. Edhe pas 20 vitesh askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtyre vrasjeve, dhunimeve, masakrave dhe veprimeve gjenocidale gjatë luftës në Kosovë, nuk doli para drejtësisë vendore ose ndërkombëtare. Iniciativa e znj. Vasfije Krasniqi për ta thënë publikisht përjetimin tragjik është shprehje e guximit të saj të lartë qytetar. Asnjë segment i krimit serb nuk bën të heshtet, sado i dhembshëm që të jetë”, ka shkruar presidenti i vendit të martën.

KALLXO.com ka raportuar sot në vazhdimësi nga seanca dëgjimore nga Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së për “Viktimat e luftës në Kosovë – Në kërkim të drejtësisë.

Vasfije Krasniqi-Goodman, viktimë e përdhunimit gjatë luftës, u shpreh edhe pse sot jeton në Teksas në një vend larg vendit ku përjetoi tmerrin, ajo thotë se nuk do të gjejë kurrë paqe në jetën e saj pa u vendosur drejtësia.

“Ka 13 vite që jam shtetase e SHBA-së mirëpo SHBA-të nuk kanë bërë asgjë për mua deri tani, por nuk ka bërë as vendi im Kosova, të dyja vendet më kanë zhgënjyer. Por shpresoj që nëse jo për mua të sjellin drejtësi për viktimat e tjera”, tha Krasniqi-Goodman.

Historia e Vasfijes

Vasfije Krasniqi ishte vetëm 16-vjeçe në prillin e vitit 1999 kur ishte rrëmbyer nga shtëpia e saj në fshatin Stanoc i Ulët nga një person i uniformuar dhe ishte dhunuar seksualisht në dy lokacione të ndryshme në Babimoc, nga dy persona të ndryshëm.

Ky është i vetmi fakt i pakontestuar i gjykatave të Kosovës, në të cilat nuk u gjetën fajtorët e këtij krimi.

Vasfije Krasniqi ka dalë për herë të parë publikisht dhe ka rrëfyer gjithë tmerrin që ka përjetuar në prillin e vitit 1999.

Beteja për drejtësi e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës së vitit 1999 kishte filluar në vitin 2012, me ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

KALLXO.com sjell një kronologji të të gjitha proceseve gjyqësore të zhvilluara në Kosovë për rastin e Vasfije Krasniqi Goodmanit.

https://kallxo.com/deshmia-historike-e-vasfije-krasniqi-goodman-para-kongresit-amerikan/

www.kallxo.com