Gjykimi i Brahim Ademit - Foto: KALLXO.com
Broboniq: Burg për të akuzuarin që e plagosi në qafë kushëririn
Gjykata e Mitrovicës e ka dhënë verdiktin e saj për konfliktin në mes dy kushërinjve nga Broboniqi i Mitrovicës.
Brahim Ademi është dënuar me 3 vite e gjashtë muaj burg nën akuzës se plagosi kushëririn e tij Sherif Ademi.
Aktakuza e prokurorisë përshkruan konfliktin në mes dy kushërinjëve.
Në korrik të 2008-tës dy kushërinjtë ishin fjalosur në mes vehte ndërsa konflikti kishte eskaluar në përdorimin e armëve.
Brahim Ademi siç thuhet në aktakuzë e kishte marrë pushkën e tij të tipit “ Popovkë“ dhe nga një distancë e afërt kishte shtënë 2 -3 herë në drejtim të kushëririt.
Plumbat e shkrepur e kishin goditur Sherifin në fyt ndërsa plagët vlerësohen nga mjeku si të rënda
Eskalimi i incidentit sipas aktakuzës ishte parandaluar nga të pranishmit në ngjarje të cilët thuhet se e kishin penguar Ademin të gjuante sërish me armën e tij.
Ademi para gjykatës ka pranuar fajësinë duke thënë se ndihet keq për ngjarjen që kishte ndodhur para 11 vitesh.