Foto: Ilustrim

Mbahet seanca e paraburgimit ndaj të dyshuarit për vrasjen e gruas në Llaushë

Skender Qerimaj, sot u soll i prangosur në Gjykatën e Mitrovicës për ta dëgjuar kërkesën për caktimin e paraburgimit pasi sipas prokurorisë ekziston dyshim i bazuar mirë se ka vrarë me gjashtë plumba gruan e tij, Lirije Qërimajn.

Paraburgimi po kërkohet për veprat penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Skender Qerimaj, më 5 janar rreth orës 13:40 min në shtëpinë e tyre në fshatin Llaushë, pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme, me revolen e tipit “Zoraki” e kishte qëlluar me 6 plumba bashkëshorten e tij tani të ndjerën Lirije Qerimin.

E njëjta si pajojë e plagëve të marra kishte ndërruar jetë rrugës për në Spitalin e Mitrovicës.

Prokurorja e rastit, Fetije Bajrami, në këtë seancë kërkoi caktimin e paraburgimit duke marrë parasysh pasojën e rëndë të veprës penale, mënyrën se si është kryer vepra penale pasi viktima ishte qëlluar me 6 plumba, ndikimin që ka pasur vepra tek fëmijët e tyre e sidomos te vajza e mitur.

Bajrami deklaroi se ekziston rreziku që i pandehuri Qerimaj të ndikojë në dëshmitarë, në fëmijët e tij e po ashtu ekziston rreziku se i njëjti mund të përsëris veprën penale edhe ndaj ndonjë pjesëtari tjetër të familjes.

KALLXO.com ka siguruar raportin e ditës kritike kur është kryer vrasja. Siç thuhet në raport, më 5 janar rreth orës 13:47, policia ishte njoftuar për një rast të dhunës në familje në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Kur kishte pranuar informacionin policia, ishte kërkuar që të njoftohet edhe Emergjenca në QKMF. Në vendin e ngjarjes njësia patrulluese që kishte marrë informacionin kishte gjetur 48-vjeçaren me inicialet L.Q., të plagosur nga arma e zjarrit.

Rreth orës 14:00, burri ishte dorëzuar në polici dhe kishte lajmëruar se ka vrarë gruan e tij.