Dy zyrtarët policor Ismet Deva dhe Bit Shala, para Gjykatës - 13.04.2019

Vrasja e veteranit të UÇK-së, Fjalët e para të të dyshuarit "Unë hyna një gjak borxh"

Korab Imeri njëri nga të dyshuarit për vrasjen e veteranit të UÇK-së Ilir Zeqiri  ka deklaruar në gjykatë se nuk e kishte ditur planin e Halil Fejzës për ta vrarë atë. 19 vjeçari i cili dyshohet se e voziti dorasin deri afër vendit të vrasjes ka rrëfyer në gjykatë se nuk e dinte planin. Ai ka kujtuar fjalët që shoku i tij i tha pak minuta pas vrasjes.

Unë kam hy në një gjak borxh” kishte thënë  pas vrasjes Halil Fejza

 

Mbrojtësi i njërit prej të dyshuarve në lidhje vrasjen e veteranit të UÇK-së ditë më parë në Skenderaj, avokati Elvir Imeri ka kërkuar sot në seancën dëgjimore të mbajtur në gjykatën e Mitrovicës, që të dyshuarit Halil Fejza t`i bëhet një egzaminim psikiatrik.

Pas një pune intensive të bërë edhe nga njësia hetuese e policisë së Kosovës dhe pas arrestimit të dy të dyshuarve Halil Fejza dhe Korab Imeri, prokuroria e Mitrovicës ka bërë këtë kërkese për caktimin e masës së sigurisë ndaj të pandehurve.

Në kërkesën e Prokurorisë, përshkruhen lëvizjet e tashmë të dyshuarit Halil Fejza, i cili me automjetin e tij BMW X5 kishte lëvizur disa herë nëpër Prekaz.

I njëjti siç theksohet në dosjen e Prokurorisë, gjatë marrjes në pyetje nuk ka qenë në gjendje që t`i mbrojë deklaratat fillestare se në kohën kur ka ndodhur rasti kishte qenë në shtëpi.

Zbulimi i rastit sipas Prokurorisë ka ardhur pasi janë shikuar filmimet e kamerave të sigurisë në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku i dyshuari është parë duke lëvizur disa herë më makinën e tij.

Kurse avokati Imeri ka shtuar në seancë se gjatë konsultimit të tij me të dyshuarin kishte vërejtur se i njëjti kishtë manifestuar disa sjellje jonormale andaj i propozoi gjykatës që t`i bëhej një egzaminim i tillë.

“Gjatë konsultimit me klientin tim kam vërejtur se ka manifestuar disa sjellje jo normale andaj i propozoj gjykatës që t`i bëhet një egzaminim psikik“, ka thënë avokati Imeri.

Ndërsa përfaqsuesi i të dyshuarit tjetër Korab Imerit, avokati Ali Rexha e ka kundërshtuar pjesërisht kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.

“Pjesërisht e kundërshtoj kërkesën e prokurorit për caktimin e paraburgimit në raport me të mbrojturin tim Korba Imeri. Sa i përket veprës penale vrasje e rëndë e kundërshtojmë në tërësi pasi që siç shihet Korab Imeri, posa e ka arritur moshën madhore. Dhe siç shihet gjatë këtij procesi nuk e kupton peshën e veprës penale me qëndrimin e tij. Pastaj Korabi ka qenë totalisht i mashtruar nga Halili pasi që i njëjti ka qenë punëtor i tij, dhe duke pasur parasysh kushtet e vështira ekonomike”, ka thënë avokati Rexha.

Ndërsa pas dëgjimit të të gjitha palëve, gjykatësi Ali Kutllovci iu ka caktuar nga 30 ditë paraburgim Halil Fejzës dhe Korab Imerit, për veprën penale Vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktvendimit të gjykatës, e njëjta nuk e ka parë të arsyeshme kërkesën e mbrojtësit të të pandehurit Halili Fejza për egzaminim psikiatrik.

“Gjykatës nuk iu është dorëzuar asnjë dokumentacion mjekësor që do të jepte shkas për një egzaminim të tillë, për më tepër në dhënien e përgjigjjeve i pandehuri vërehet së është shumë i vëmendshëm dhe kërkon konsultim me mbrojtësin e tij. Andaj bazuar në këto të dhëna tani për tani gjykata nuk gjen se ka ndonjë bazë apo indikacion që kishte me tregu nevojën për egzaminim psikiatrik”, thuhet në vendimit e Gjykatës.

Ndryshe sipas dosjes së Prokurorisë Ilir Zeqiri ishte vrarë me armë AK-47 të cilën paraprakisht të pandehurit e kishin fshehur në një gardh-shkurre, ndërsa me të arritur të vendi i ngjarjes i pandehuri Halil Fejza i kishte thënë tashmë tani të vrarit Ilir Zeqiri se po dilte për të kryer nevoja fiziologjike, ndërsa e kishte marrë armën e fshehur, e më pas kishte filluar të gjuaj në drejtim të të ndjerit Ilir Zeqiri më breshëri plumbash.

Pas kësaj kishte ikur nga vendi i ngjarjes për në vendin ku kishte qenë duke e pritur i dyshuari Korab Imeri me automjetin e tipi BMW.

Ndërsa sipas asaj se çfarë ka deklaruar i dyshuari Halil Fejza para Gjykatës këtë e kishte bërë për shkak të një borxhi që ky i fundit e kishte marr nga tashmë i vdekuri në vlerë prej 9000 euro.

I pyetur nga gjykatësi Ali Kutllovci se si kishte reaguar viktima në momentin kur ai kishte gjuajtur në drejtim të tij, i pandehuri Halil Fejza u përgjigj se ai i kishte mbyllur sytë në momentin kur kishte gjuajtur në tani të vdekurin Ilir Zeqirin.

“Kur kam gjuajtur i kam mbyllur sytë dhe nuk e di se si ka reaguar viktima. Unë menjëherë kam ikur arave në drejtim ku ka qenë duke me pritur Korabi. Unë nuk e di kush e ka kall automjetin, unë nuk e kam kallë”, ka thënë Fejza.

I dyshuari Halil Fejza ka thënë në Gjykatë se nga tashmë i ndjeri Ilir Zeqiri kishte marr një borxh prej 9000 euro, ndërsa ky i fundit i kishte thënë se nëse nuk ia kthen të njëjtat deri me datën 13 të këtij muaji, pas kësaj date i dyshuari Fejza do të duhej t`i kthej shumën prej 20 mijë euro.

“Tani i ndjeri disa herë mi ka kërkuar paratë dhe shumën prej 9000 euro, të cilat ia kisha marr si borxh dhe ai pesë herë mi ka kërkuar dhe herën e fundit me ka thënë së nëse deri me 13.04.2019 nuk i kthen këto 9000 euro ti duhesh t`i kthesh 20.000 euro. Mua filloi të më hyjë një frikë prej atij momenti dhe fillova të zihem në vete”, ka thënë Fejza në Gjykatë.

Tutje Fejza ka rrëfyer se si kishte ardhur deri të kryerja e kësaj vepre, duke thënë se për këtë nuk e kishte ditur asnjë prej anëtarëve i familjes së tij.

“Nuk kam biseduar me askënd për këtë punë, të shtunën unë vendosa ta kryej këtë farë pune, ashtu që së bashku me Korabin diku një orë e gjysmë para se me ndodh rasti unë e kam dërguar armën dhe e kam fshehur në gardh. Prej momentit kur kam hyrë në automjet me tani të ndjerin të xhamia e deri në momentin kur kemi shkuar në vendin e ngjarjes ai më ka thënë se më mirë është për ty me i pagu 9000 euro se sa 20 mijë. Në momentin kur kemi mbërri në vendin e ngjarjes siç kam deklaruar unë kam kërkuar që ta ndal veturën për të kryer nevoja fiziologjike. Kam shkuar e kam marr automatin dhe jam ofruar tre deri në katër metra nga ana e shoferit dhe kam shtënë rafal me të shtatë plumbat sa i ka pasur edhe automati”, ka thënë i dyshuari Fejza.

Ndërsa i dyshuari tjetër Korab Imeri, ka qenë i heshtur në Gjykatë. Krejt çfarë ka thënë ai ishte një sqarim lidhur me çështjen e vozitjes së automjetit nëpër në Prekaz.

“Vetëm dua të sqaroj se lidhur me çështjen e vozitjes së automjetit BMË unë atë e kam vozitur vetëm deri te pompa e cila gjendet afër xhamisë në Skenderaj. Aty e kam kuptuar se çfarë ka ndodhur. Lidhur me armën që e ka vendosur Halili në gardh unë e kam parë dhe e kam ditë, por unë kam menduar se ai në fillim do të merrej vesh me fjalë për zgjatjen e afatit të borxhit por nuk e kam ditë se ai do ta kryej aktin të cilin e ka kryer. Halili ka ardh të automjeti ku isha duke e prit duke vrapuar dhe si ka hyp në makinë ka thënë o çka bona ‘Unë hyna një gjak borxh’. Unë menjëherë jam nis për në Prekaz. Unë nuk i kam treguar askujt në familje”, ka deklaruar i dyshuari Imeri.

https://kallxo.com/vrasja-e-veteranit-i-dyshuari-halil-fejza-e-vrava-se-me-kerkoi-20-mije-euro-per-9-mije-borxh/

.