Ilustrim

Prokuroria: Të akuzuarit fshehën marihuanën në radion e veturës

Një muaj paraburgim i është caktuar tre burrave të dyshuar për posedim e shitje të paautorizuar të lëndëve narkotike.

L. B., A. B., si dhe B. H. ishin ndaluar nga Policia e Kosovës me 20 korrik në Mitrovicë dhe të njëjtëve i ishte gjetur marihuanë ilegale

Sot prokuroria kompetente ka kërkuar që ndaj tre të dyshuarve të caktohet masa e paraburgimit prej një muaji.

Sipas kërkesës së prokurorisë të siguruar nga Kallxo.com L. dhe A. B., B. H. ishin ndaluar nga Policia në veri të Mitrovicës.

Policia me 20 korrik kishte ndaluar automjetin e tipit Ford Mindeo dhe në të kishin qenë tre të dyshuarit, ku së bashku me personin G. B., i cili është na arrati pa autorizim kanë transportuar substancë narkotike të shpalluar me ligj si narkotikë.

Prokuroria thotë se në veturën e cila kishte qenë duke u drejtuar nga i dyshuari G. B. kishin qenë edhe L. dhe A. B. si dhe B. H., ndërsa në momentin që ishin ndaluar nga ana e policisë duke ditur se po transportonin substanca narkotike, kanë filluar ta hedhin nga dritarja e makinës sasinë e këtyre substancave me qëllim të fshehjes dhe mos vërejtjes nga policia.

Ndërsa pas ndaljes në pjesën e makinës ku kishte qenë i ulur i pandehuri A. B. ishin gjetur dy qese me substancë narkotike në peshë prej 14.10 gram, në pjesën ku kishte qenë i ulur i pandehuri L. B. ishin gjetur 6 gram.

Substancë narkotike ishte gjetur edhe në pjesë tjera të veturës të cilat gjithsejt arrin peshën prej 64.37 gram.

Kurse 36.76 gram e kësaj substance narkotike sipas prokurorisë ishte fshehur në radion e makinës.

Në seancën paraprake të pandehurit L. B. dhe A. B. e kanë pranuar se 13 gram drogë kishte qenë e tyre, ndërsa i dyshuari B. H. ka pranuar se 14.10 gram të substancës narkotike ka qenë e tyre, ndësa ata kanë shtuar se sasia tjetër e drogës ka qenë e të dyshuarit i cili tani gjendet në arrati, G. B.

Ky i fundit i kishte ikur policëve derisa kishte qenë duke u shoqëruar në zyrat e Drejtorisë për Hetimin e Narkotikëve për në dhomat e mbajtjes në stacionin policor jug.

Për armën e gjetur në veturë të dyshuarit gjithashtu kanë deklaruar se e njëjta i takonte po ashtu të dyshuarit G. B.

Ndaj vendimit për paraburgim të dyshuarit kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.