Ndertesa e Gjykates Themelore ne Mitrovice - Foto Atdhe Mulla

Kutllovci: Dje Vetëm Caktuam Zyrat në Gjykatën në Veri

Ali Kutllovci ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë tha për KALLXO.com se dje gjyqtarët që vepronin në Vushtrri nuk e nisën punën në objektin e gjykatës në veri.

Kutllovci tregoi se këta gjyqtarë ditën e djeshme vetëm vizituan objektin, ndërsa u ndanë zyrat për ta dhe për stafin përcjellës.

Ish-kryetari i Gjykatës në Mitrovicë bëri të ditur se sot dhe ditëve në vijim janë duke u bartur lëndët nga Vushtrria në objektin në veri.

Kutllovci tha se Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka nisur punën një javë më parë në një objekt të marrë me qira në Lagjen e Boshnjakëve.

Dje Presidenti Hashim Thaçi njoftoi në Facebook se gjyqtarët dhe prokurorët nga komunitetet joshumicë kanë nisur punën.

“Sot, zyrtarisht, kanë nisur punën gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës së Kosovës nga komuniteti joshumicë në pjesën veriore të vendit. Me veprime afirmative, ne kemi siguruar që gjykatat dhe prokuroritë të pasqyrojnë përbërjen etnike”, shkroi Thaçi.

Ai më tutje në postimin e djeshëm konstatoi se është bërë shtrirja e ligjshmërisë në tërë territorin dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Sipas marrëveshjes për drejtësinë të arritur në dialogun e Brukselit në vitin 2015 në objektin e gjykatës në veri do të vendoset dega e Gjykatës së Apelit, si dhe Departamenti i Krimeve të Rënda dhe ai i Përgjithshëm i Gjykatës Themelore, ndërsa në ish-ndërtesën e jugobankës në jugun e Mitrovicës do të vendoset departamenti civil, departamenti për të mitur dhe ai i kundërvajtjes.

KALLXO.com kishte shkruar për vonesën e hapjes së gjykatës në veri.