Foto-ilustrim

Paraburgim për të dyshuarin për posedim të drogës, prangave, fishekëve dhe sprejit

Gjykata e Mitrovicës ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim për të dyshuarin F.S. nga Vushtrria.

Kështu, Gjykata ka vendosur një muaj paraburgim për të dyshuarin, të cilit pretendohet se në banesë iu gjetën 2.4 kilogramë drogë, pranga, fishekë dhe sprej.

Nga Prokuroria e Mitrovicës, F.S. dyshohet për veprat penale posedim i drogës, prodhim dhe përpunim i narkotikëve dhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas kërkesës së Prokurorisë më 27 korrik 2019, i dyshuari në banesën e tij në Vushtrri, pa autorizim është furnizuar me substancë narkotike në sasi prej 2 kilogramë e 400 gramë të llojit marihuanë të ndara në nëntë qese në sasi të ndryshme, si dhe një qese në të cilat ishin farat e bimës së kanabisit me peshë prej 34.3 gramëve.

Po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur një palë pranga të ngjashme me të Policisë, 8 fishekë si dhe një sprej.

Ndërsa gjyqtari Ali Kutllovci në seancën e mbajtur më 28 korrik ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe i ka caktuar të dyshuarit F.S. masën e paraburgimit prej 1 muaji.