Të shtëna armësh në veri, plagoset një person

Të shtëna me armë zjarri kanë ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit në një kafiteri në veri të Mitrovicës, me ç’rast një person ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në spital, ndërsa është jashtë rrezikut për jetë.

Kp ka mësuar se i plagosuri i cili ka marrë dy plumba në trup është Predrag Bogosavljeviq, pronar i lokalit, ndërsa autor i incidentit, Dushan Sllaviq, i njohur me nofkën ‘Dulle’.

Lajmin e ka konfirmuar për kp edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti.Sipas tij, ngjarja ka ndodhur sot në mëngjes rreth orës 03:15 në kafenenë ‘Gradska kafana Centar’ në veri të Mitrovicës.

“Dyshohet se pas një zënke të çastit ka ardhur deri te një konflikt mes pronarit të kafenesë, i cili njëherësh është edhe pjesëtar i policisë, por që ka qenë jashtë detyrës zyrtare, si dhe autorit të këtij incidenti. I dyshuari është i njohur për policinë dhe është në kërkim, derisa policia është duke zhvilluar të gjitha hetimet në zbardhjen e plotë të rastit”, ka thënë Hoti./ 21Media