I konvertoi targat ilegale në RKS, digjet vetura në Leposaviq

Një veturë është djegur sot rreth orës 04:00 të mëngjesit, në Leposaviq. Sipas Policisë së Kosovës, kjo veturë sapo kishte bërë konvertimin nga targat ilegale në RKS.

E që ky të jetë shkaku nuk përjashtohet, thotë zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti.

“Vetura ka qenë e regjistruar RKS gjatë ditës së djeshme, mund të jetë ai motiv, nuk përjashtohet ajo, por të shohim” – tha Hoti për KALLXO.com.

Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore.

Sot gjatë ditës, presidentja Vjosa Osmani deklaroi se qytetarët që po respektojnë ligjin duke shëndrruar targat, po përballen me incidente, duke përmendur këtu djegien e shtëpive dhe veturave.

Osmani tha se kjo është një luftë kundër bandave.

“Ka një kohë të gjatë qytetarëve që po e respektojnë ligjin po i konvertojnë në ato që njihen me ligj, dhe po i largojnë ato të kohës së Millosheviqit e si rezultat po ju djegën shtëpitë, makinat, rasti i fundit ka ndodhur mbrëmë. Lufta jonë është luftë kundër bandave. Ajo pakicë që nuk i ka konvertuar ende, është për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm. Në luftën tonë kundër bandave, në luftën tonë për sundim të ligjit, ne presim që të kemi përkrahjen e vazhdueshme të aleatëve tanë edhe në BE edhe në SHBA”- tha Osmani sot në një konferencë për media bashkë me presidenten e Komisionit Evropian, Urusula von der Leyen.

Më 31 tetor, skadon afati për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.

Targat me akronime serbe për qytetet e Kosovës – sikurse KM, PZ, PR e të ngjashme – konsiderohen ilegale nga Qeveria e Kosovës.

Në shtator ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte deklaruar në Twitter se edhe një zyrtar serb i Policisë së Kosovës u sulmua nga strukturat paralele që dogjën veturën e tij me targa legale RKS. Sveçla e quante “thirrje e hapur për të luftuar institucionet e Kosovës”.