Shpërthim afër elektro-distribucionit në veri të Mitrovicës

Dyshohet se një mjet shpërthyes është hedhur të enjten mbrëma rreth orës 22:40 në objektin e Elektro-distribucionit në veri të Mitrovicës.

Besim Hoti nga Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës, deklaroi për RTK-në se mbrëmë ka shpërthyer një zjarr në elektro-distribucionin në veri, e që sipas tij, Policia po dyshon se një mjet shpërthyes është hedhur qëllimshëm.

Si rrjedhojë, pjesa dërmuese e qytetit ka mbetur pa energji elektrike deri në orët e hershme të mëngjesit.

Hoti ka deklaruar se Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe po i zhvillon hetimet, ndërsa është hapur rast për tri vepra penale që ndërlidhen me incidentin.

Ende nuk dihet nëse ky veprim ka të bëjë me marrëveshjen për energjinë mes Prishtinës dhe Beogradit, e cila u arrit ditë më parë në Bruksel. Rtklive