Shpend Ahmeti. Kuvendi Komunal

Të gjitha përplasjet në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Prishtinës

Pas dy muajsh nga mbledhja e fundit e Kuvendit Komunal të Prishtinës, mbledhja e gjashtë e këtij Kuvendi filloi me përplasje në mes të lëvizjes Vetëvendosje dhe partisë së Shpend Ahmetit, PSD.

Të dyja këto parti hidhnin akuza kundër njëra-tjetrës.

Përplasjet filluan kur Egzon Azemi dhe Eman Rrahmani nga Vetëvendosje propozuan futjen në rend dite çështjen e Ndërmarrjes Publike Banesore dhe mosfunksionimin e saj.

Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, duke u përgjigjur në çështjet e asamblistëve, të cilat i shtruan për diskutim, filloi polemikat me asamblistët e VV-së.

Ahmeti iu drejtua asamblistëve të VV-së duke u thënë se ata po frikësohen se dikush po ua merr NPB dhe se ata po flenë te NPB-ja.

“Po boni filma duke dërgu akuza pa bazë. Po fleni krejt deputetët e VV-së, po mendoni se po vjen dikush natën po ua merr ndërmarrjet publike”, është shprehur i pari i kryeqytetit.

https://kallxo.com/shpend-ahmeti-e-egzon-azemi-perballen-ne-asamble/

Kurse Egzon Azemi i është drejtuar Ahmetit duke i thënë se nuk po e thotë të vërtetën.

“Nuk e di qysh po mundesh me rrejt publikisht, po rren kur po thu nuk kam kërku asgjë prej teje, s’kam ardhë në zyre fizikisht, po i kam e-mail, nëse do – i publikoj, e kur po thu që Xhelal Sfeçla e Liburn Aliu po flenë në NPB, krejt ndërmarrjet kanë kamera, hajde i shohim”, ka thënë Azemi.

Shpend Ahmeti gjithashtu iu drejtua edhe Eman Rrahmanit, duke i thënë se të gjithë e dinë për sa ndërmarrje ka kërkuar të emërohet drejtor.

“Krejt e dimë për sa ndërmarrje ke lyp me u bo drejtor, ndoshta edhe këtu po don”, tha Ahmeti.

https://kallxo.com/nuk-kalon-kerkesa-e-vetevendosjes-per-te-diskutuar-per-ndermarrjet-publike/

E Blerand Stavileci nga PDK tha se këto akuza dhe kundërakuza janë të pakuptimta dhe nuk i interesojnë askujt çështjet e brendshme.

“Sot këta po e akuzojnë njëri-tjetrin për filma. Nëse këto hesape nuk i kanë sqaruar, le t’i sqarojnë jashtë këtij kuvendi. I kemi dy mbledhje, nëse heqim edhe dy pikat që po ka pajtueshmëri për pikat 2 dhe 5 po na mbesin 13 pika”, tha asamblisti Stavileci.

“Këto që po i dëgjojmë është fotografi falso e dy subjekteve politike që e kemi treguar. Të merremi vesh me pikat përmbajtjesore. Çka na intereson neve kush kujt çka i ka thënë, na duhet me humb kohë e të mos i miratojmë pikat përmbajtjesore”, shtoi ai.

Edhe pas gjitha këtyre akuzave ndërmjet Vetëvendosjes dhe Shpend Ahmetit, diskutimi për Ndërmarrjen Publike Banesore nuk u fut në rend dite.

Pikat e rendit të ditës që u miratuan nga Kuvendi Komunul i Prishtinës ishin: Miratimi i ekstraktit të procesverbalit të mbledhjes së pestë të Kuvendit te Komunës të Prishtinës, 3. Propozim-vendimi për emërtimin e stadiumit të futbollit të Prishtinës “Fadil Vokrri”, Propozim-rregullore për ndarjen e subvencioneve në komunën e Prishtinës, Propozim-rregullore për caktimin e vlerës referente investuese të projektit të ndërtesave për caktimin e tarifës për leje mjedisore komunale.

Pika dy dhe pika pesë e rendit të ditës u shtynë për njërën nga mbledhjet e ardhshme e ato janë: Bartja e buxhetit të pashpenzuar të të hyrave vetjake nga viti 2017 në vitin 2018 dhe propozim-rregullorja për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës së veprimtarive afariste në komunën e Prishtinës.

https://kallxo.com/shpend-ahmeti-perplaset-me-asamblistin-e-vetevendosjes-per-pallatin-e-rinise/

Kurse pikat 7 dhe 8 nga rendi i ditës u shtynë për nesër: Projektstatuti i Muzeut të Prishtinës, Projektstatuti i Qendrës Kulturore të Prishtinës sepse u pa e paarsyeshme të diskutohen pa praninë e Yll Rugovës si drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës.

Pika e fundit e rendit të ditës ishte  propozim-vendimi për themelimin e Komitetit konsultativ, e cila u miratua pasi u zgjodhën përfaqësuesit e kuvendit për këtë komision.

Osman Bllaca si auditor i Komunës, tre anëtarët e Kuvendit Komunal që pas votimit u zgjodhën nga asamblistët ishin Mirsad Vitia me 20 vota pro, Vesel Makolli me 21 vota pro dhe Suzan Kika me 22 vota pro, e nga shoqëria civile u zgjodh Albulena Nrecaj me 20 vota pro.

Propozimi për futje në rend dite nga asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi për formimin e komisionit për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale gjithashtu u shoqërua me zhurma të mëdha kundrejt PSD-së.

Pas këtij propozimit, partitë politike propozuan kandidatët e tyre për këtë komision.

https://kallxo.com/vetevendosje-akuzon-psd-ne-e-shpend-ahmetit-per-koalicion-te-fshehur-me-pdk-ne/

Egzon Azemi me akuzën se pas këtij votimi po shihet qartë se në koalicion me kë është PSD-ja.

KALLXO.com e transmetoi drejtpërdrejt mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës.