Ministri Tahiri në KGJK | Foto: Facebook

Tahiri: Gjyqtarët dhe Prokurorët- Pagat më të Larta në Rajon

Gjatë vizitës që i bëri Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ministri i drejtësisë Abelard Tahiri tha se gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës do t’i kenë pagat më të larta në rajon.

Sipas Tahirit, prokurorëve dhe gjyqtarëve të të gjitha niveleve pagat do t’u rriten me automatizëm, pasi të hyjë në fuqi vendimi për rritjen e pagave të zyrtarëve qeveritarë.

“Ishte kënaqësi që t’i njoftoj Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial që me hyrjen në fuqi të vendimit për ngritje të pagave për zyrtarët qeveritar, me automatizëm, në bazë të Ligjit për Gjykata dhe Ligjit për Prokurorinë e Shtetit, do të rriten edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjitha nivelet”, shkroi Tahiri në facebook.

Ai tregoi se me këtë rritje, gjyqtarët dhe prokurorët kosovarë do t’i kenë pagat më të larta në rajon.

“Andaj, ky është një lajm i mirë edhe për faktin se gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës së Kosovës tani i kanë pagat më të larta në rajon”, shkroi më tutje Tahiri.

Ai tha se prokurorët dhe gjyqtarët ishin anashkaluar gjatë rritjeve të mëhershme të pagave.

“Në vitin 2013 ku të gjitha sektorët e shërbimit publik kanë përfituar nga rritja e pagave, gjyqtarët dhe prokurorët kanë qenë të vetmit që nuk kanë përfituar nga kjo rritje”, shkroi Tahiri.

Ai konstatoi se rritja e pagave do të shtojë motivin për punë.

“Tani qytetarët e Republikës së Kosovës presin me të drejtë që viti 2018 të jetë vit i rritjes së efikasitetit dhe llogaridhënies në sektorin e drejtësisë dhe forcimin e sundimit të ligjit ne vend u zotua Tahiri.

Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes vendosi që ta rrisë pagën e tij dhe pjesëtyarëve tjerë të kabinetit dhe kjo rritje page mund të ketë efekt zinxhiror edhe për rritje tjera pagash.

Haradinaj në RTK, vendimin për rritje pagash e arsyetoi me nevojën e tij si Kryeministër që të mos dalë në publik gjithqysh.

“Unë obligohna një kravatë, unë s’muj tash gjithqysh me dalë, obligohna një këmishë. Duhna me qenë në nivel të përgjegjësisë”, tha Haradinaj.

Kjo nxiti një reagim të qytetarëve të cilët mblodhën kravata për Haradinajn në shenjë proteste që ai i rriti pagën vetes.

http://kallxo.com/kravata-per-kryeministrin-rroge-te-dyfishuar/

Më pas kravatat e vendosura në rrethojat e oborrit të qeverisë u larguan, ndërsa askush nuk e mori përgjegjësinë për një largim të tillë.

http://kallxo.com/zhduken-kravatat-nga-rrethojat-e-qeverise-askush-se-di-ku-jane/

Dje KALLXO.com publikoi një video me kravatat që përdori Haradinaj në 100 ditëshin e qeverisjes.

http://kallxo.com/kravatat-e-haradinajt-ne-90-dite-pune/