Foto: Ilustrim

Sulmohet me Molotov Gjykata në Lipjan

Objekti i Gjykatës Themelore Prishtinë, dega në Lipjan, është sulmuar mbrëmë rreth orës 23:55 me koktej Molotovi.

Policia e Kosovës njofton se pas marrjes së informacionit njësia e hetimeve ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka bërë sigurimin e vendit të ngjarjes dhe kanë kontaktuar punëtorin e sigurimit të gjykatës.

“Ai ka deklaruar se persona të panjohur kanë gjuajtur koktej Molotovi në drejtim të objektit të Gjykatës”, njofton Policia në raportin e saj të përditshëm.

Si pasojë e këtij sulmi në një zyrë janë shkaktuar dëme materiale nga zjarri si dhe para ndërtesës është dëmtuar një veturë zyrtare pronë e Gjykatës Themelore.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë Hamdi Ibrahimi e konfirmoi për KALLXO.com rastin dhe dëmtimet në Gjykatë, por nuk dëshiroi që te flasë më tepër. Ai theksoi se Policia është duke e kryer punën e saj. Në vendin e ngjarjes kanë dalë  edhe njësia e zjarrfikësve të Lipjanit dhe Forenzika regjionale.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokuroria kompetente, përderisa njësitet policore janë duke i kryer hetimet intensive.

Kohëve të fundit janë shtuar rastet kur me Molotov janë sulmuar ose djegur veturat e zyrtarëve të lartë shtetërorë ose të familjarëve të tyre, apo edhe sulmet e ngjashme kundër policisë dhe objektit qeveritar në protestën e 26 shkurtit, por kjo është hera e parë që sulmohet një objekt gjykate.

http://kallxo.com/vetura-e-memli-krasniqit-ne-flake/

http://kallxo.com/digjet-vetura-familjare-e-bajram-gecajt/

http://kallxo.com/kallxo-360-protestuesi-me-molotov-polici-me-gur/