Fotografia: Facebook

Suedia Konfirmon Mbështetjen

Sekretarja e shtetit në Ministrinë suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Ulrika Modeer, ka thënë se Suedia do ta përkrahë Kosovën në proceset integruese, në procesin e liberalizimit të vizave, sundimin e ligjit, etj.

Këtë zotim ajo e ka bërë pas një takimi që ka pasur me zëvendësministrin kosovar për Integrime Evropiane, Ramadan Ilazi.

Ky i fundit ka theksuar pas takimit me mysafiren suedeze se Qeveria e Kosovës do të jetë përfituese e rreth 70 milionë eurove në kuadër të një marrëveshjeje të nënshkruar në tetor të vitit që shkoi me shtetin e Suedisë.

Kjo shumë, sipas tij, do të ofrohet për periudhën 2014-2020, për të ndihmuar Kosovën në fusha të ndryshme, sikur në përmirësimin e integrimit ekonomik me BE-në dhe zhvillimin e ekonomisë së tregut të lirë, forcimin e demokracisë, respektin për të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e një shteti me sundim të ligjit, mbrojtjen e mjedisit etj.

Zëvendësministri tha po ashtu se gjatë takimit kanë diskutuar për MSA-në dhe liberalizimin e vizave.

“Përmes MSA-së ne krijojmë edhe zonë të tregtisë së lirë me BE-në, që është një shtytje e jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për bizneset kosovare. Përmes MSA-së ne themelojmë marrëdhënie kontraktuale mbi parimin e lirisë së lëvizjes së mallrave. Mirëpo, liria e lëvizjes së mallrave pa lirinë e lëvizjes së njerëzve nuk është e kompletuar dhe potencialin e MSA-së nuk mund ta shfrytëzojmë në tërësi pa edhe këtë proces të kompletuar të Republikës së Kosovës” tha Ilazi.

Ndërkaq, Modeer u shpreh se shteti suedez do t’i mbështesë përpjekjet e Qeverisë së Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.

“Folëm për procesin dhe rëndësinë e liberalizimit të vizave që e përmendët edhe ju zëvendësministër. Është shumë e qartë për neve që është temë shumë e rëndësishme. I mbështesim përpjekjet e juaja që të vazhdoni me këtë proces”, tha ajo.

Sipas zyrtares suedeze, Kosova do të marrë mbështetje edhe për shumë fusha të ndryshme.

“Suedia është këtu që të mbështes rrugën e Kosovës, madje edhe qeverisjen demokratike, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për barazinë gjinore – që është një fushë shumë e rëndësishme për Suedinë. Mbështesim edhe reformën ekonomike”, theksoi Ulrika Modeer.