Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: ZKM

Kurti uron Suedinë për anëtarësimin në NATO

Anëtarësimit të Suedisë në NATO i është gëzuar edhe shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.

Ai përmes një postimi në rrjetin social “X” (ish-Twitter), e ka uruar shtetin suedez për anëtarësimin në NATO, duke ia bërë me dije se pret që ushtarët e Suedisë të vijnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it.

“Mezi presim të mirëpresim ushtarët e parë suedezë të KFOR-it në Kosovë për të ndihmuar në mbrojtjen e kufirit tonë kundër agresionit të Serbisë” – u shpreh i pari i Qeverisë.

“Urime Suedisë që u bë anëtari i 32-të i NATO-s. Një NATO më e fortë do të thotë një Europë më e sigurt dhe një shans më i madh për paqe pas pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia” – tha ai.

Një urim për këtë ngjarje u bë edhe nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila bashkë me ambasadorin suedez në Kosovë, Jonas Westerlund e me miq e aleatë të tjerë festuan sot.

Suedia është bërë anëtare e NATO-s pasi e kompletoi procesin e anëtarësimit të enjten në Shtetet e Bashkuara.

Dorëzimi i dokumenteve u bë gjatë një ceremonie në Uashington, dy vjet pasi Suedia aplikoi për t’iu bashkuar aleancës ushtarake, menjëherë pasi Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës.

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, tha se “uniteti dhe solidariteti” do të jenë “frymëzuesit” e Suedisë.

Suedia u bë zyrtarisht anëtare e NATO-s