Ilustrim

Stafi mbështetës i Prokurorisë Speciale proteston për ulje të pagës, paralajmëron grevë

Sindikata e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), pas një takimi të mbajtur me manaxhmentin e KPK-së si dhe stafin mbështetës të PSRK-së, kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me draft Ligjin për Pagat.

Sindikata e PSRK-së nuk po pajtohet me draft Ligjin për Paga, për shkak se po e konsiderojnë diskriminues. 

Kjo për faktin se me anë të këtij projektligji, stafit mbështetës të PSRK-së u janë zbritur pagat për 50%. Sipas tyre një vendim i tillë shkelë konventat ndërkombëtare në lidhje me të drejtën për pagë të barabartë dhe të dinjitetshme.

Prandaj stafi mbështetës i PSRK-së po kërkojnë që pagat e tyre të jenë ekuivalente me pagat e stafit mbështetës të Kuvendit të Kosovës.

“Për më tepër paga e paraparë në projektligjin e ri të propozuar për paga, do të rrezikoj ekzistencën sociale të stafit mbështetës në PSRK. Prandaj stafi mbështetës i PSRK-së kërkon që pagat e tyre të jenë ekuivalente me pagat e stafit mbështetës të Kuvendit të Kosovës, duke pasur parasysh rëndësinë dhe natyrën e punës në Prokurorinë Speciale, rrezikshmërinë dhe duke u bazuar në faktin se Gjyqësori është ekuivalent me legjislativin dhe ekzekutivin si pushtete të ndara, ashtu siç është përcaktuar ne Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e dërguar nga kjo Sindikatë.

Madje sindikalistët po kërkojnë që të mos zbriten pagat e stafit mbështetës por të përfshihen të gjitha shtesat aktuale në Ligjin e Pagave si pagë bazë.

“Po ashtu, të tërhiqet ligji në fjalë nga procedimi për votim në Parlamentin e Kosovës, duke rishqyrtuar atë dhe përmirësuar konform kërkesave tona dhe parimeve baze të mos-diskriminimit, pagës së njëjtë për punën e njëjtë, duke u bazuar në rendësin e pozitës dhe vendeve të punës”, thuhet në komunikatë.

E nëse kërkesat e tyre nuk realizohen atëherë, sindikalistet kanë paralajmëruar grevë.

“Pa dëshirën tonë, ne jemi të detyruar që me vullnetin tonë organizativ, se në rast kërkesa jonë nuk realizohet, do t`i përdorim mjetet tona sindikale dhe atë “GREVËN” si mjetin më të rendë për realizimin e të drejtave tona duke filluar nga data 04.02.2019, ditë e hënë, deri në plotësimin e kërkesave tona të drejta”, shkruhet më tej në komunikatën e dërguar nga Këshilli Grevist i Sindikatës së PSRK-së.