Specialët Ankohen për Enver Hasanin
I pari i Prokurorisë Speciale Reshat Millaku ka paralajmëruar ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës me të cilin u refuzua kërkesa e prokurorit për dëgjimin e gjyqtarit ndërkombëtar të Gjykatës Kushtetuese Robert Carolan
“Ne si prokurori nuk i komentojmë vendimet e gjykatës, por ne do të bëjmë ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj këtij aktvendimi,” tha kryeprokurori special Reshat Millaku për KALLXO.com.
Në anën tjetër për Bajram Tmavën avokatin e Enver Hasanit vendimi i fundit i gjykatës i ka dhënë fund çdo gjëje.
“Aktvendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës jo vetëm që ka refuzuar kërkesën për mundësi të veçantë hetuese, por e ka shfuqizuar edhe aktvendimin për fillimin e hetimeve dhe shprehimisht e përcakton këtë,” tha Tmava.
Ai shtoi se me pezullimin e hetimeve duhet të hedhet poshtë edhe aktakuza, pasi që nuk ka pasur prova tjera.
Në muajin prill 2015 gjatë hetimeve ndaj Enver Hasanit Prokuroria Speciale i kishte kërkuar gjykatës së Prishtinës një leje të veçantë për të intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve anëtarë të Gjykatës Kushtetuese nën imunitet.
Vendimi i gjykatës ishte marrë në dhjetor 2015, ndërsa e njëjta është dorëzuar në prokurori tek më 1 shkurt 2016. Në ndërkohë, pa e pranuar këtë vendim, më 13 janar 2016 Prokuroria Speciale ngriti aktakuzën ndaj Enver Hasanit.
KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje nga gjykata e Prishtinës për arsyet e mosdorëzimit me kohë të vendimit, megjithatë zyrtarët e gjykatës nuk janë përgjigjur.
Përndryshe aktakuza ndaj Hasanit tashmë është dorëzuar në gjykatë dhe pret të ndahet në punë, ndërsa ende nuk është e qartë nëse vendimi i marrë në dhjetor e i dorëzuar në shkurt do cilësohet si hedhje poshtë e kësaj aktakuze.
Hasani akuzohet nga Prokuroria Specilae e kOsovës për dy vepra penale-keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe falsifikim i dokumentit.
Sipas aktakuzës Hasani në mënyrë të kundërligjshme në cilësinë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese vendosi në lidhje me dekretin e Presidentes që kishte të bënte me vazhdimin e mandatit për tre gjyqtarët ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Gjithnjë sipas aktakuzës në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentes rreth vazhdimit të mandatit të 3 gjyqtarëve ndërkombëtarë, Hasani ka shënuar edhe emrin e gjyqtarit Robert Carolan, edhe pse ky gjyqtar nuk kishte marrë pjesë në shqyrtimin e kësddaj çësjtjeje, ngase bëhej fjalë edhe për vazhdimin e mandatit të tij.
Për aktakuzën ndaj Enver Hasanit u diskutua në Emisionin “Jeta në Kosovë” në janar të këtij viti.
http://kallxo.com/jeta-ne-kosove-per-aktakuzen-ndaj-enver-hasanit/
Për rrugën që çoi në vazhdimin e mandatit të 3 gjyqtarëve ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese, u zhvillua debat në Emisionin “Jeta në Kosovë” edhe në tetor të vitit 2014.
http://kallxo.com/sonte-jeta-ne-kosove-afera-zarfi-2/