Shumica e portaleve nuk ofrojnë qasje në kontratat me institucionet publike

Organizata ‘Demokracia Plus’ ka publikuar raportin me titull ‘Mediat dhe Tenderët’, ku është konstatuar që shumica e portaleve  nuk ofrojnë qasje në kontratat e marketingut që lidhin me institucionet publike.

Pjesë e monitorimit të këtij raporti kanë qenë 18 portale, ndërsa vetëm 3 prej tyre kanë ofruar qasje në kontratat për shërbime të marketingut.

Sipas raportit, portalet që nuk kanë ofruar fare qasje janë Zëri.info, Epoka e Re, Bota Sot, Kosova Sot, Insajderi, Telegrafi, Lajmi.net, Gazeta Blic, Arbresh.info, Kosova Press dhe Klan Kosova.

Ndërsa tri portalet e vetme që kanë ofruar qasje janë Koha.net, Indeksonline dhe Bota Press, ndërsa Gazeta Express dhe Ekonomia Online kanë kthyer përgjigje negative.

Arbelina Dedushaj, autore e raportit ka thënë se arsyeja kryesore e këtij hulumtimi është ndikimi i këtyre kontratave të marketingut në politikën redaktoriale të portaleve.

“Njëra prej arsyeve se pse jemi marrë me këtë hulumtim është pikërisht ndikimi i këtyre kontratave në politikën redaktoriale, si dhe kemi matur transparencën e institucioneve publike dhe mediave për të ofruar qasje në informacione që kemi kërkuar. Pjesë e monitorimit kanë qenë të gjitha komunat, Kuvendi i Kosovës, Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, Banka Qendrore, Agjencia Kosovare e Privatizimit, dhe tri ndërmarrjet kryesore publike Telekomi, KEK dhe Posta”, ka thënë Dedushaj.

Ndërsa gazetarja Arta Berisha ka thënë se ky raport dhe kjo temë i shërben gazetarisë që të jetë në interes të qytetarëve dhe tregon transparencën e mediave për financimin dhe pronësinë.

“Hapja e kësaj teme mendoj që i kontribon gazetarisë së mirëfilltë dhe gazetarisë në interes të qytetarëve, për shkak se një prej vërejtjeve të raporteve të rëndësishme të Komisionit Evropian, është transparenca e mediave, për sa i përket pronësisë dhe financave. Sot po e shohim që fatkeqësisht shumica e mediave nuk kthejnë përgjigje në bërjen publike të kontratave të tyre. Dhe në fakt për këtë habitem, nuk habitem për institucionet sepse e dimë që ato në shumicën e rasteve çalojnë në transparencë”, ka thënë Berisha.

Autori i emisionit ‘Drejtësia në Kosovë’ dhe kryeredaktori në BIRN, Kreshnik Gashi, ka thënë se ky raport tregon se sa janë të gatshëm pronarët e mediave të tregojnë se prej kujt financohen, kush iu financon zyret dhe rrogat dhe gjithë politikën editoriale të tyre.

“Është për keqardhje që prej 18 mediave, vetëm 3 kanë pranu me dhënë qasje se kush i financon dhe se kush është donatori. Definitivisht nuk jemi duke folur për media kredibile dhe media të cilat munden me dalë faqebardhë para publikut, për shkak se nuk po duan me na tregu se kush është duke i financu shkrimet e tyre dhe kush qëndron prapa tyre. Këta njerëz të mediave e kanë gojën plot llafe dhe fjalë se qeveria nuk është duke iu dhënë qasje në dokumente publike, që ministritë nuk i kthejnë përgjigje, nuk e di qysh duan me na tregu kur vet nuk janë transparent dhe nuk ofrojnë qasje se sa i kanë të hyrat qoftë prej ministrisë, qoftë prej qeverisë apo partive politike”, ka deklaruar Gashi.

Sipas këtij raporti Ministria e Bujqësisë ka qenë institucioni publik me më së shumti numër të kontratave të lidhura të marketingut me portalet, ku ka shpenzuar përafërsisht 109 mijë euro për 16 portale. Ndërsa sa i përket komunave ka qenë ajo e Ferizajt me gjithashtu 16 kontrata të lidhura, ku për tri vitet e fundit ka shpenzuar rreth 127 mijë euro.

Ky raport është publikuar pas monitorimit të mediave dhe institucioneve nga gushti deri në dhjetor të vitit 2018.