Roli i Agjencisë për Informim dhe Privatësi në hapjen e institucioneve publike

Komisionerja dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) janë garantuesit kryesorë për realizimin e së drejtës së qasjes në dokumentet publike dhe hapjen e institucioneve. Ligji i ri për Qasje në Dokumente Publike, i cili hyri në fuqi në korrik të 2019-ës e përcakton Agjencinë si organ të pavarur përgjegjëse për monitorimin e zbatimit të Ligjit për qasje në dokumente publike, trajnimin e institucioneve mbi zbatimin e ligjit, përcaktimin e kritereve në lidhje me përmbajtjen e faqeve në internet të institucioneve publike, si dhe shqiptimin e gjobave për ata që nuk e respektojnë ligjin.

Emërimi i Komisioneres nga Kuvendi i Kosovës në korrik të 2021-ës ishte një proces i gjatë dhe i përsëritur. Vendi i lirë për Komisioner u shpall së pari në prill të 2019-ës dhe u përsërit disa herë. Për zvarritjen u ankua edhe Ambasada Britanike në Prishtinë, e cila mbështet institucionet publike në rekrutimin e profesionistëve në pozitat kyçe të shërbimit civil.

Emërimi i Komisioneres, Krenare Sogojeva Dërmaku, një person apolitik i vlerësuar me notat më të larta nga vëzhguesit britanikë, u mirëprit nga organizatat e shoqërisë civile.

Me marrjen e detyrës nga Komisionerja për Informim dhe Privatësi, u vu re një përkushtim më i madh nga ana e Agjencisë në adresimin e ankesave në lidhje me mungesën e qasjes në dokumente publike, si dhe një rritje e ankesave nga qytetarët, gazetarët, organizatat e shoqërisë civile, dhe bizneset. Brenda katër muajve, nga tetori i 2021-ës deri në janar të 2022-ës, AIP-i ka pranuar gjithsej 124 ankesa, afërsisht një ankesë për çdo ditë kalendarike.

Faqja e Agjencisë në internet ofron një formular të thjeshtë ankese dhe ankuesi merr një përgjigje zyrtare me e-mail dhe një numër protokolli për rastin e hapur. Kjo u mundëson qytetarëve, profesionistëve dhe organizatave të bëjnë ankesa më të lehta, si dhe të marrin përgjigje më shpejt.

Është e rëndësishme të theksohet se ankesat e individëve janë të shumta ose të barabarta me ankesat e bëra nga organizatat e shoqërisë civile dhe mediat. Për shembull, në tetor të 2021-ës u bënë 15 ankesa nga individë të pavarur, tri nga OJQ të ndryshme dhe dy nga organizata mediatike dhe një biznes.

Vlen të përmendet edhe shkalla e lartë e rasteve që AIP-i i ka trajtuar ose mbyllur. Nga 124 ankesa, 62 janë mbyllur dhe 50% e ankesave të tjera janë në shqyrtim. Komunat dhe ministritë janë institucionet me më së shumti ankesa. Së fundmi është nxjerrë vendimi i AIP-it  i cili e gjobit Odën e Avokatëve të Kosovës me tre mijë euro për mospërgjigje ndaj kërkesës së AIP-it për qasje në dokumente publike.

Përkundër avancimit në ushtrimin e së drejtës për qasje në dokumente publike, megjithatë ka probleme me qeverinë aktuale. Lëvizja FOL është ankuar se nuk ka marrë përgjigje nga Zyra e Kryeministrit lidhur me kërkesën e tyre për qasje në dokumente publike. Në një debat televiziv me kryeministrin, gazetarja e Kohës Ditore Saranda Ramaj pohoi se iu deshën 74 ditë për të realizuar të drejtën e saj për qasje në dokumente publike dhe se arriti ta ushtronte këtë të drejtë vetëm pas ndërhyrjes së AIP-it.

Fillimi premtues dhe funksionimi i plotë i Agjencisë, i dëshmuar në shumë raste, shpërfaq përmirësimin e përpjekjeve për realizimin e plotë të së drejtës për qasje në dokumente publike. Nëse vazhdon kështu edhe më tej, puna e Agjencisë jo vetëm që do të inkurajojë ushtrimin e së drejtës për qasje cilësore në dokumente publike në mesin e qytetarëve, profesionistëve, OJQ-ve, etj., por gjithashtu do të ndikojë në hapjen e institucioneve publike, si dhe do t’i mbajë ato përgjegjëse dhe do të kërkojë nga to që të mundësojnë qasjen në dokumente publike me mjetet sa më pak burokratike të mundshme online.