Shtyhet Gjykimi i Policit për Marrje Ryshfeti

Gjykimi i Veton Gashit që akuzohet për marrje ryshfeti derisa kryente detyrën e policit është shtyrë për mungesë të një anëtareje të trupit gjykues.

Mungesën e kësaj anëtareje e përmendi kryetarja e trupit gjykues Syzana Qerkini që tregoi se anëtarja që nuk është e pranishme ndodhet në një gjykim tjetër.

“Unë edhe publikisht u thashë se presim një anëtar tjetër të trupit gjykues vetëm e vetëm që mos të shtyhet, pasi që kjo seancë disa herë është shtyrë, mirëpo megjithatë më është thënë se do të zgjatë shkurt gjykimi tjetër, pasi që anëtarja ka qenë edhe më herët e përfshirë në këtë çështje penale do të vijë me ia komunikuar shkresat e lëndës, me e njoftuar me rrjedhat e procedurës deri ku kemi ardhur, mirëpo ajo ende është në gjykim,” deklaroi Qerkini.

Seanca e radhës në gjykimin e Veton Gashit është caktuar më 13 tetor 2016 duke filluar nga ora 9:30.

Polici Veton Gashi akuzohet për marrje ryshfeti derisa ishte në detyrë.

Në shtator të vitit 2012 “Drejtësia në Kosovë” transmetoi një reportazh ku trajtohej ankesa e një qytetari, i cili pretendonte se dy policë i kishin kërkuar mitë.

Disa muaj pas transmetimit, Prokuroria e Prishtinës ngriti propozim-akuzë ndaj policëve Veton Gashi e Hydajet Krasniqi, duke i akuzuar për mitë-marrje.

Dy policët mohuan fajësinë, ndërsa pak muaj pas ngritjes së aktakuzës polici Hydajet Krasniqi u arratis dhe tani është i paqasshëm për gjykatën. Ndaj tij procedura është veçuar.

Seancat tjera të këtij gjykimi mund t’i lexoni këtu.