Trajneri Toni Kuka e xhudistja Nora Gjakova - Foto: Facebook/RamushHaradinaj

Shteti i Kosovës krenohet me vajzat e arta – Nora Gjakovën e Distria Krasniqin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i është gëzuar suksesit të xhudisteve kosovare, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, të cilat kanë fituar medalje të arta në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Tarragona të Spanjës.

Sipas presidentit, vajzat dhe djemtë e Kosovës, me talentin tyre, po na bëjnë krenarë dhe po e promovojnë imazhin e vërtetë të vendit të tonë kudo nëpër botë.

“Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova dolën të arta në Spanjë, në Lojërat Mesdhetare në Tarragona. Fitorja e tyre ka rëndësi të dyfishtë për sportin dhe diplomacinë tonë”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në “Facebook”.

Suksesin e dy xhudisteve e ka përshëndetur edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

“Dhe kush tjetër përpos tyre. Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi i dhanë Kosovës një debutim të jashtëzakonshëm në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018. Dy xhudistet tona ia shtuan vendit tonë edhe dy medalje të arta. Faleminderit për këto emocione!”, ka shkruar Veseli në profilin e tij në “Facebook”.

Edhe kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur krenar me xhudistet Nora Gjakova e Distria Krasniqi.

“Vajzat e arta, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, e kanë ngritur sërish flamurin e Kosovës në piedestal, në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018. Kështu mbrohen ngjyrat e Kosovës! Krenar me ju!”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.