Shtatorja e Aganit ‘Bashkëjeton’ me Mbeturina

Në 17 vjetorin e vrasjes së Fehmi Aganit të gjithë e pranojnë se shtatorja e tij përballë Fakultetit të Filologjisë nuk po mirëmbahet, por fajin nuk e merr përsipër askush.

Ndërtuesi i kësaj shtatoreje Luan Mullliqi brengoset më shumë për hapësirën përreth saj me pllaka të thyera e mbeturina.

“Nuk jam i kënaqur me mirëmbajtjen e kësaj shtatoreje ashtu si shumë shtatoreve tjera. Ajo çfarë mua më pengon më shumë është hapësira përreth, ajo duhet të mirëmbahet,” tha Mulliqi për KALLXO.com.

Komuna e Prishtinës thotë se për mirëmbajtjen e kësaj statuje përgjegjës është universiteti për shkak se statuja ndodhet në kampusin e tij.

Ndërkaq Universiteti i Prishtinës fajin ua lë qytetarëve të papërgjegjshëm që hedhin mbeturina dhe shëmtojnë këtë pjesë të kampusit.

Esat Kelmendi, sekretar i përgjithshëm i UP-së, vlerësoi se shkak për këtë problem mund të jetë edhe fakti se kampusi është i hapur për të gjithë.

“Në kampus kanë qasje të gjithë qytetarët dhe jo vetëm studentët. Është e pamundur të mbikëqyret sepse nuk kemi sisteme të kamerave jashtë dhe normalisht që bëhet e papastër,” konstatoi Kelmendi.

Kjo statujë e bronztë, përveç mbeturinave, është shëmtuar edhe nga ndryshimi i ngjyrës vende-vende për shkaqe natyrore si dhe nga mbishkrime të palexueshme me ngjyrë.

Fehmi Agani u lind në vitin 1932, studioi për filozofi, ishte profesor dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Ishte redaktor në gazetën “Rilindja” dhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai u vra nga forcat serbe në afërsi të Lipjanit më 6 maj 1999, pas përpjekjeve për të dalë nga Kosova në Maqedoni.