Riza Halimi, kryetar i PVD. Foto: Kallxo.com

Shqiptarët e Luginës së Preshevës më Afër Qeverisë së Serbisë

Riza Halimi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik , tha për BIRN se ai ndihet optimist pas takimit të fundit me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Atmosfera në takim ishte e mirë dhe kjo më jep shpresë se kemi gjasa që ta përmirësojmë bashkëpunimin ndërmjet pakicës shqiptare dhe qeverisë serbe”, tha Halimi.

Ai u shpreh se gjatë takimit ata kanë folur për ndryshimet e nevojshme strukturore dhe personale që duhet të zbatohen në Trupin Koordinues për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, një organ shtetëror që merret me çështjet e pakicës shqiptare në jug të Serbisë.

Sipas regjistrimit të vitit 2002 në Serbi, 61,467 shqiptarë jetojnë në Serbi. Shumica e shqiptarëve bojkotuan regjistrimin e vitit 2011, kështu që numri aktual i shqiptarëve në Serbi është i panjohur.

Një numër i madh i tyre mendohet të kenë emigruar në Kosovë ose në shtetet e Evropës perëndimore gjatë viteve të fundit. Por ata përbëjnë shumicën në komunën e Preshevës dhe janë komuniteti më i madh në Bujanoc.

Mediat kanë raportuar se Halimi është personi më i mundshëm për ta drejtuar Këshillin Koordinues kur u pyet nëse do ta pranonte këtë pozitë, ai tha se do të ishte mir ënëse shqiptarët do ta drejtojnë këshillin, por u shpreh se jo domosdoshmërisht duhet të jetë ai në krye.

Halimi tha se në zgjedhjet e kaluara partia e tij ka qenë gjithmonë në opozitë kështu që nuk ka pasur shumë hapësirë për të vepruar. Këtë herë, ai shpreson se PVD do t’i bashkohet koalicionit qeveritar në Parlamentin e Serbisë.

“Ne tashmë e kemi treguar vullnetin e mirë. Deputeti ynë (Fatmir Hasani) mbështeti kandidaturën e maja Gjokoviq për kryetare të Parlamentit të Serbisë”, tha Halimi duke shtuar se partia e tij qështë e gatshme të bashkëpunojë me qeverinë e re për ta përmirësuar pozitën e shqiptarëve në jug të Serbisë.

“Mendoj se përfundimisht është koha që ta riorganizojmë Këshillin Koordinues në mënyrë që ai të jetë më efikas në iniciativë. Unë mendoj se fjalët që i ka thënë drejtori aktual se shqiptarët kanë të drejta në Serbi por nuk duan t’i shfrytëzojnë ato janë jokorrekte dhe të turpshme”, tha Halimi.

Ai tha se do të ketë raunde tjera bisedash në dy javët e ardhshme.

“Është hera e parë që kryeministri mban bisedime me pakicat dhe ne e shohim një mundësi të fillojmë t’i zgjidhim problemet për pakicën shqiptare në Serbi. Ne jemi të gatshëm të bashjkëpunojmë”, tha Riza Halimi.

Deputeti i Partisë Përparimtare Serbe, Vladimir Gjukanoviq, tha se partia e tij dëshiron t’i forcojë raportet jo vetëm me pakicën shqiptare por edhe me pakicat tjera në Serbi.

“Personalisht nuk kam ndonjë kundërshtim që drejtori i Këshillit Koordinues të jetë shqiptar. Ne duam stabilitet politik dhe duam t’i përfshijmë pjesëtarët e pakicave në qeveri”, tha Gjukanoviq.