Vazhdon greva në Gjykatën e Mitrovicës. Foto: Kallxo.com

Shqiptarë e serbë së bashku në grevë në gjykatën e Mitrovicës

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës është duke vazhduar greva e punëtorëve të administratës.

Edhe sot në këtë gjykatë sikurse dje i gjithë stafi i gjykatës janë në grevë ndërsa në dyert e gjykatës është vendosur një mbishkrim me të cilin palët njoftohen në gjuhën shqipe dhe serbe që stafi administrativ i gjykatës është në grevë.

Driton Asllani, kryetar i këshillit grevist të kësaj gjykate, ka thënë për KALLXO që edhe sot greva vazhdon njëjtë dhe se kërkesat e gjithë punëtorëve janë po atë që kanë qenë një ditë më parë.

Ndryshe nga gjykata tjera të vendit punëtorët e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, nuk janë duke e mbajtur grevën në vendin e njëjtë.

Punëtoret e objektit të gjykatës në veri të qytetit të Mitrovicës janë duke e mbajtur grevën në veri, kurse pjesa tjetër e stafit të punëtorëve gjenden në objektin e ish- Jugobankës po bëjnë grevë në jug të qytetit.

KALLXO ka vizituar punëtorët e gjykatës edhe në jug të qytetit të Mitrovicës.

Gylten Rafuna, anëtare e sindikatës, dhe Dragan Gavrilloviq, nënkryetar i këshillit grevist për objektin e gjykatës në jug të Mitrovicës, kanë thënë se në kemi një kryetar të sindikatës dhe një këshill të përbashkët.

“Arsyeja pse po e mbajmë grevën këtu është sepse ne e kemi vendin e punës këtu në këtë objekt”, ka thënë Gavrilloviq për KALLXO.