Shqipëria kërkon rritje të patrullimit në kufirin e gjelbër me Kosovën

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu, sot ka vizituar Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Morinë duke kërkuar nga policia kufitare e Kosovës rritjen e patrullimit në kufirin e gjelbër dhe përballimin e fluksit të qytetarëve, të cilët udhëtojnë në bregdet gjatë ditëve të verës.

Veliu u ka kërkuar punonjësve të Policisë kufitare angazhim maksimal dhe performancë duke iu ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor. Ai ka porositur drejtuesit e Policisë kufitare në Morinë që në raste fluksi të aplikojnë procedurë të përshpejtuar, por nga ana tjetër punonjësit e policisë të ushtrojnë kontroll në vijën e dytë për të gjitha mjetet që dyshohen për paligjshmëri.

Veliu gjatë bisedës me drejtuesit e Policisë kufitare u ka kërkuar atyre që gjatë sezonit shërbimet e policisë qoftë për pikën e Morinës, qoftë për kufirin e gjelbër të jenë të angazhuara maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe në parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjithashtu, Veliu ka kërkuar rritje të patrullimit në kufirin e gjelbër, pasi në sezone apo raste fluksesh tendenca për të zhvilluar paligjshmërinë orientohet në kufirin e gjelbër.

Gjatë inspektimit Veliu ka takuar edhe punonjësit e Policisë kufitare të Kosovës. Gjatë mëngjesit të sotëm ka pasur një fluks të madh të qytetarëve kosovarë në drejtim të Shqipërisë, ku vetëm orët e parë të mëngjesit kanë hyrë mbi 5000 shtetas.