Gjykimi i mjekëve në Rastin "Medicus" | Foto: KALLXO.com
Shpallet e papranueshme përmbajtja e disa SMS-ve në Rastin ‘Medicus’
Në gjykimin e mjekëve të klinikës “Medicus”, Lutfi Dervishit, i cili akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar si dhe Sokol Hajdinit, i akuzuar për lëndim të rëndë trupor, palët mbrojtëse edhe gjatë këtij seance kanë vazhduar të deklarohen në lidhje me provat e propozuara për administrim nga ana e prokurorisë.
Mbrojtësi i të akuzuarit Lutfi Dervishi, avokati Valon Hasani i kërkoi trupi gjykues që gjykata të shpallë si provë të papranueshme disa përmbajtje të disa SMS-ve të cilët janë propozuar nga prokurorja që të administrohen si prova, për të cilat ai tha se janë marrë pa autorizimin e gjyqtarit paraprak.
“I propozoj gjykatës që të shpallet si e papranueshme prova e cila përmban përgjime të teksteve me SMS të cilat janë marrë pa urdhër të gjyqtarit paraprak. Kjo provë është shpallë e papranueshme nga trupi gjykues i mëparshëm, andaj kërkoj nga trupi gjykues i këtij gjykimi që ta shpallë të papranueshme këtë provë”, propozoi avokati Valon Hasani.
Avokati kundërshtoi disa prova të cilat përshkruhen si të lëshuara nga klinika “Medicus”.
“Vërejtje sa i përket përshkrimit të provave. E kundërshtojmë këtë lloj përshkrimi të kësaj prove pasi që këto dokumente nuk janë lëshuar asnjëherë nga ‘Medicus’, sa herë që është e shkruar ‘dokumente të lëshuara nga Medicusi’. Ne e kundërshtojmë këtë përshkrim nga ana e prokurorisë”, tha avokati.
Prokurorja e çështjes Valeria Bolici deklaroi se nuk ka ndonjë kundërshtim që ato prova të emërohen ndryshe, por sqaroi se sipas prokurorisë nëse një dokument e ka nënshkrimin e Lutfi Dervishit do të thotë se ai dokument është i lëshuar nga klinika “Medicus” dhe se prandaj është emëruar në atë mënyrë.
“Nëse kemi një dokument i cili e ka emrin e ‘Medicus’, ne themi se është lëshuar nga ‘Medicus’, nëse një dokument e ka nënshkrimin nga Lutfi Dervishi ne themi se është i lëshuar nga ‘Medicus’. Nuk jam asgjë kundër që përshkrimi i këtyre dokumenteve të jetë ndryshe përderisa këto dokumente të jenë të pranueshme”, deklaroi prokurorja.
Pas këshillimit dhe votimit, trupi gjykues në krye me gjyqtaren Franceska Fischer mori aktvendim që ta aprovojë kërkesën e mbrojtjes së Lutfi Dervishit që të ndryshohej përshkimi i atyre provave për të cilat u ankua avokati Hasani.
“Trupi gjykues i ka marrë parasysh vërejtjet dhe është i mendimit se dokumentet që janë listuar me një përshkrim të tillë, ato mund të identifikohen në një mënyrë me të mirë dhe vlera e tyre provuese do të vlerësohet në një fazë të mëtutjeshme”, deklaroi gjyqtarja Fischer.
Fischer po ashtu deklaroi se trupi gjykues ka marrë vendim që dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur A.K, e dhënë me 15 prill të vitit 2015 të konsiderohet si provë e papranueshme pasi që sipas kryetares së trupit gjykues kjo provë është marrë pas ngritjes së aktakuzës.
Ndërsa për procesverbalin e seancës së mbyllur për mbrojtjen e dëshmitarit A.K, të datës 12 korrik 2012, gjykata vendosi që këtë procesverbal ta konsiderojë pjesë të dosjes së lëndës, por i cili procesverbal në vetvete nuk do ta ketë vlerën e provës materiale.
E në lidhje me kërkesën e avokatit Hasani që trupi gjykues të shpallë si të papranueshme provën me përmbajtjen e disa SMS-ve të cilat sipas avokatit janë marrë pa urdhër të gjyqtarit paraprak, trupi gjykues vendosi që ta aprovojë këtë kërkesë me arsyetimin se për një përgjim të tillë ka qenë i domosdoshëm urdhri i gjyqtarit paraprak.
“Përmbajtja e SMS-ve që janë lëshuar nga kompanitë telefonike e ka tejkaluar urdhrin e lëshuar nga prokuroria dhe për një gjë të tillë do të ishte i nevojshëm urdhri i gjyqtarit të procedurës paraprake, prandaj trupi gjykues konsideron se urdhri të cilin e ka lëshuar më pas gjyqtari në vitin 2013 nuk mund në mënyrë retroaktive t’u japë legjitimitetin të dhënave që janë marrë pa autorizim, andaj trupi gjykues vendosi që përmbajtja e SMS-ve është provë e papranueshme në bazë të nenit 153 të KPPK-së”, deklaroi kryetarja e trupit gjykues.
Kurse sa u përket provave të tjera të propozuara për administrim nga ana e prokurorisë, mbrojtësit e të akuzuarve deklaruan se nuk kanë vërejtje.
Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga Prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.
Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.
Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.
Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.
KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi rastin “Medicus”.