Shoferi i Votave në Dragash, i  Dyshuar për Manipulim

Policia e Kosovës ka urdhëruar personin me inicialet L.B që të lajmërohet në stacionin policor për një muaj pasi ishte arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e 22 tetorit.

Sipas Policisë së Kosovës, L.B i kontraktuar si shofer nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve për transport të materialit zgjedhor për persona me aftësi të kufizuara ka dëmtuar dhe manipuluar një pjesë të fletëvotimeve.

“Në momentin derisa anëtarët e ekipit mobil  të përcaktuar në vendvotim në fshatin Renc, në shtëpinë e qytetares me iniciale Sh.L. person me aftësi të kufizuar, i pandehuri L.B. duke shfrytëzuar mos prezencën e anëtarëve të ekipit mobil nga automjeti merr materialin rezervë zgjedhor, merr disa fletëvotime, disa nga ato fletëvotime i dëmton dhe të tjerat i plotëson, duke i kthyer sërish ato në vendin nga i kishte marrë.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Për të arrestuarin më 22 tetor ishte kërkuar masë paraburgimi ndërkaq, Gjykata Themelore e Prizrenit vendosi t’i caktojë masën e paraqitjes në stacion policor për një muaj rresht.