Mimoza Kusari- Lila, kryetare e komunës së Gjakovës

Prokuroria, Shkresa të Palexueshme në Rastin Ndaj Mimoza Kusarit

Në Gjykatën e Gjakovës është mbajtur shqyrtimi i dytë në rastin ndaj të pandehurit Mikel Qupi, i cili akuzohet se ishte marrë vesh me dy shtetas të Shqipërisë për vrasjen e kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lilës dhe Prenk Radit gjatë muajit korrik të vitit 2015.

Besnik Berisha, avokati i të akuzuarit Qupi, nuk ka paraqitur kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hedhjen poshtë të aktakuzës me arsyetimin se shkresat e lëndës të dërguara nga Prokuroria Speciale nuk ishin të lexueshme.

“Materiali i pranuar nga Prokuroria Speciale, shumica ishte i palexushëm dhe për këtë arsye ne nuk kemi pasur mundësi që të vlerësojmë në përpikëri secilën provë veç e veç në mënyrë që të ushtrojmë kundërshtim të bazuar dhe ligjërisht të qëndrueshëm”, tha avokati Berisha.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Ali Rexha, tha se do të bashkëpunojë me mbrojtjen për t’i siguruar shkresa të lexueshme.

“Shkresat e lëndës disa nuk janë të lexueshme. Deklarohem se të gjitha këto shkresa të lëndës njëkohësisht kanë hyrë në shtypje, si shkresat e juve, si të avokatit. Jam i gatshëm prej tash të bashkëpunoj dhe të rregullohet çështja e shkresave që nuk lexohen”, tha prokurori special Ali Rexha.

Ndërsa, avokati Besnik Berisha tha se dëshiron ta njoftojë Gjykatën dhe këdo që është i interesuar se i akuzuari Mikel Qupi dhe mbrojtja e tij nuk do të përpiqen që për çështje teknike apo shkelje procedurale kjo procedurë të ndërpritet tani. “Jemi të hapur për një shqyrtim gjyqësor, për t’u përballur me provat dhe dëshmitarët e propozuar tashmë nga Prokuroria”, shtoi ai.

Më pas, gjyqtari Gëzim Pozhegu tha se Gjykata ka marrë vendim që ta miratojë propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Mikel Qupi se heqë dorë nga e drejta e ankesës në aktvendimin e shqyrtimit të dytë të kësaj Gjykate lidhur me këtë çështje.

Seanca e radhës është caktuar për më 25 mars 2016.

http://kallxo.com/sot-mbahet-seance-per-tentim-vrasjen-e-mimoza-kusarit/