
Ish-prokurori, Ali Rexha në Pallatin e Drejtësisë, 21 korrik 2022 Foto: KALLXO.com
I caktohet masa e sigurisë ish-prokurorit Ali Rexha, të mos i afrohet prokurorit Sulejmani dhe KPK-së
Ish-prokurori special. Ali Rexha gjatë ditës së sotme ka dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake pasi ndaj tij Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar masë të sigurisë në lidhje me kërcënimin ndaj prokurorit special, Lulzim Sulejmani.
KALLXO.com ka qëndruar gjatë ditës së sotme në hapësirat e Pallatit të Drejtësisë, ndërsa merr vesh se masa e sigurisë e caktuar ndaj Rexhës është që të mos i afrohet Sulejmanit dhe objektit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) në distancë prej 200 metra.
Masa do të zgjasë një muaj, ndërsa nëse Rexha nuk e respekton atë, masa do t’i zëvendësohet me paraburgim.
Ish-prokurori Ali Rexha, po dyshohet se ka kërcënuar verbalisht prokurorin special Lulzim Sulejmani.
Rexha ishte arrestuar gjatë ditës së djeshme, ndërsa sot ai ka dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake për shkak se ndaj tij është kërkuar edhe një masë e sigurisë nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Seanca për masën e sigurisë ka filluar nga ora 9:00 në mëngjes.