Arrestohet ish-prokurori Ali Rexha

Është arrestuar gjatë ditës së sotme ish-prokurori Ali Rexha.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, e cila tha se i njëjti dyshohet për kanosje.

“Po sot me urdhër të prokurorit i dyshuari është ndaluar, për veprën penale ‘kanosje’”, ka bërë të ditur Ulaj.

Rexha dyshohet se ka kërcënuar sot (e mërkurë) prokurorin Lulzim Sylejmani. Lidhur me këtë ka reaguar edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“Këto kërcënime serioze ndaj Prokurorit Sulejmani vijnë si rrjedhojë e angazhimeve të prokurorit në kuadër të aktiviteteve të tij në proceset disiplinore, të realizuara kohë më parë, ndaj ish-pokurorit special, Ali Rexha”, thuhet në reagim.

Në ndërkohë, më herët gjatë ditës, KALLXO.com ka kontaktuar ish-prokurorin Ali Rexha, i cili duke përmendur gjendjen e tij shëndetësore, shkurtimisht tha se nuk e ka kërcënuar fizikisht prokurorin Sulejmani.

“Nuk jam në gjendje të mirë shëndetësore, por mundem me thënë që nuk e kam kërcënu fizikisht. I kam thënë të ‘shkeli me ligj’, të ‘shkeli me gjyq’, nuk e kam pas fjalën për fizikisht..”, ka thënë Rexha përmes telefonit.

Në anën tjetër, prokurori Lulzim Sulejmani për KALLXO.com ka thënë se rasti ka ndodhur sot dhe menjëherë e ka njoftuar në Polici.

“Ajo është çështje ligjore, unë e kam lajmëru rastin në stacionin policor. Këshilli i ka punët e veta, ka reaguar. Sot ka ndodhur rasti. Nuk po du me ekzagjeru rastin, thjesht mirren organet e rendit me këtë”, ka thënë  Sulejmani.

KPK reagon ndaj kërcënimit të prokurorit Lulzim Sulejmani