Detaje lidhur me arrestimin e ish-prokurorit Rexha, dyshohet se e kërcënoi prokurorin Sulejmani para disa personave

Mesditën e sotme më saktësisht rreth orës 12:05, prokurori i Prokurorisë Speciale, Lulzim Sulejmani kishte raportuar në Polici një kërcënim që kishte marrë.

KALLXO.com mëson se ish-prokurori special, Ali Rexha e kishte kërcënuar Sulejmanin në mënyrë verbale në prezencë të disa personave.

Siç mëson KALLXO.com në cilësinë e dëshmitarëve janë intervistuar dy persona. Sulejmani është intervistuar si ankues ndërsa ish-prokurori Rexha është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, e që më pas është arrestuar.

Në lidhje me rastin është njoftuar edhe prokuroria kompetente në këtë rast, ajo e Prishtinës.

Me vendim të prokurorit kujdestar, Rexha është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Arrestimin e ish-prokurorit Rexha e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Prokuroria e Prishtinës.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka reaguar për kërcënimin ndaj prokurorit, Lulzim Sulejmani.

KPK-ja e ka dënuar fuqishëm këtë kërcënim, duke thënë “këto kërcënime serioze”, vijnë si rrjedhojë e angazhimeve të prokurorit në kuadër të aktiviteteve të tij në proceset disiplinore, të realizuara kohë më parë, ndaj ish-pokurorit special, Ali Rexha.

“Këto kërcënime serioze ndaj Prokurorit Sulejmani vijnë si rrjedhojë e angazhimeve të prokurorit në kuadër të aktiviteteve të tij në proceset disiplinore, të realizuara kohë më parë, ndaj ish-pokurorit special, Ali Rexha”, thuhej në reagim.

Arrestohet ish-prokurori Ali Rexha