Ceremonia e Diplomimit të gjeneratës së 58-të të Policisë së Kosovës. FOTO: Arjana Berisha, KALLXO.com

Policia e Kosovës planifikon të blejë qindra palë pranga e shufra

Policia e Kosovës ka planifikuar të blejë qindra pranga e shufra. Vlera e këtyre pajisjeve policore bazike të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pritet që të kushtoj hiç më pak se 92 mijë euro.

Shpallja e tenderit është e procedurës së hapur, pra kompani të ndryshme kanë të drejtë që të aplikojnë në këtë tender nëse i plotësojnë kushtet që ka kërkuar ky institucion.

Në bazë të dosjes së tenderit që është publikuar në E-Prokurim, Policia e Kosovës po planifikon që të blejë 800 shufra, 800 mbajtëse të shufrave, 800 palë pranga dhe 800 palë mbajtëse të prangave.

Specifikat e pajisjeve për policët:

Policia e Kosovës në dosjen e tenderit ka treguar edhe specifikat e pajisjeve, për shembull shufrat duhet të kenë gjatësi plus-minus 530 milimetra, diametri 25 milimetra, pesha 475 gram dhe ngjyra të jetë e zezë.

Mbajtësja e shufrës duhet të jetë e përshtatshme, të jetë mbrojtëse që shufra të mos zgjatet aksidentalisht dhe e njëjta t`i mundësojë përdoruesit që ta vendos sërish shufrën e shtrirë plotësisht në mbajtje gjatë prangosjes nësë ka raste.

Mbajtësja duhet të jetë rezistente ndaj goditjeve dhe ndryshimeve klimatike siç janë lagështia, nxehtësia. Gjithashtu mbajtësja duhet të ketë rripin 50 milimetra, pllakën taktike.

Nga Policia e Kosovës është kërkuar që prangat të jenë plus/minus 330 gram, të ketë çelësin universal, të ketë mbyllje të dyfishtë, me 19 pika shtrënguese, me pullë të dyfishtë, të lidhura me zinxhir të jenë të çelikta dhe të veshura me nikel.

Policia tenderin e ka publikuar në E-Prokurim më 27 tetor, pra tri ditë më parë.

Kompanitë e interesuara mund të aplikojnë për këtë tender deri më 17 nëntor 2023.

Kujtojmë se në korrik të këtij viti u mbajt edhe ceremonia e diplomimit të 490 pjesëtarëve të rinj të Policisë së Kosovës.