Foto: Kallxo.com
Shkel urdhrin për mbrojtje ndaj nënës së tij, mungon në gjykatë
Në gjykimin ndaj Blerim Bytyqit, i cili po akuzohet për veprën penale të shkeljes së urdhrit për mbrojtje ndaj nënë së tij, seanca e paraparë për sot u shty për datën 26 Shtator.
Si shkak i mosmbajtjes së seancës në Gjykatën Themelore të Gjakovës, ishte mosardhja e të akuzuarit në seancë.
E pranishme në sallë të gjykimit ishte e dëmtuara Sadije Bytyqi, nëna e të akuzuarit, bashkë me avokatin e saj, Avdi Rizvanolli.
Prokuroria po akuzon Blerim Bytyqi për veprën penale të shkeljes së urdhrit për mbrojtje, të marrë në janar të këtij viti.
I akuzuari nuk e kishte arsyetuar mungesën e tij para gjykatës dhe për seancën e radhës gjyqtarja Diana Sina do të lëshojë urdhëresë për sjelljen e tij me forcë në gjykatë.
Prokurori i rastit, Ramiz Buzhala, nuk e kundërshtoi shtyrjen e seancës pasi që me mungesën e të akuzuarit nuk kishte kushte ligjore për mbajtjen e seancës fillestare.
Sipas aktakuzës i pandehuri Blerim Bytyqi, në shtëpinë e tij ka shkelur urdhrin për mbrojtje të dhënë nga Gjykata Themelore në Gjakovë, i cili vlente deri më 23 janar 2018.
Aktakuza shpjegon se ky urdhër mbrojtjeje përmbante që i pandehuri Blerim ndaj të dëmtuares Sadije, të mos ushtronte dhunë psiqike, kërcënim e fyerje, por t’i ofrojë shërbime shëndetësore dhe furnizim me medikamente.
Por aktakuza thotë se i akuzuari e kishte ofenduar me fjalë të ndryshme nënën e tij.