Pamje nga mbledhja e Komisionit për Arsim - Foto: KALLXO.com

Shinik: Testi i Performancës së Mësimdhënësve – Jonormal

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Myfera Shinik, e ka cilësuar “jonormal” testin e performancës së mësimdhënësve, të cilin Ministria e Arsimit ka paraparë ta organizojë gjatë muajit të ardhshëm.

“Nuk është normal me e ba testin. Inspektorati mundet me hy në orë e të monitorojë, por me hy në test nuk është normal”, u shpreh deputetja, e cila edhe vetë për një kohë të gjatë ka qenë mësimdhënëse.

Këto komente deputetja Shinik i bëri gjatë një takimi të Komisionit parlamentar për Arsim , Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport.

Kundër mundësisë së organizimit të testit të përformancës është deklaruar edhe Sindikata e Arsimit (SBASHK).

Sipas Sindikatës kundër këtij testi janë 15 mijë mësimdhënës.

http://kallxo.com/sbashk-15-mije-mesimdhenes-kunder-testit-te-performances/

Ndryshe, në mbledhjen e Komisionit sot pa ndonjë diskutim u përcoll për lexim të dytë Projektligji për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.

Ndryshe, anëtarët e Komisionit patën vërejtje për mungesën e ministrave të Arsimit dhe atij të Kulturës, mungesën e të cilëve deputeti Nait Hasani i arsyetoi me “agjendat e tyre”.

Por, deputetja e Nismës për Kosovën, Shukrije Bytyqi, tha se mungesa e ministrit Arsim Bajrami është e paarsyeshme.

“Është e paarsyeshme mungesa e ministrit të Arsimit. Besoj që së shpejti ministri të na përgjigjet dhe të na vijë në Komision që të flasim për këtë vit akademik që ka filluar me shumë probleme”, tha ajo.