Si bëhet trajnimi dhe vlerësimi i performancës së mësimdhënësve?

Egzon Gashi nga organizata “Teach for Kosova” në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar për akreditimin që ka organizata që ai udhëheq për trajnimin dhe vlerësimin e performancës së mësidhënësve.

Gashi tregoi se janë të akredituar që të trajnojnë mësimdhënësit, por që ende nuk kanë filluar me trajnimin e mësimdhënësve që janë në sistem.

Ai shpjegon se si ndodh trajnimi nga ana e tyre, duke treguar ae zakonisht marrin persona të sapodiplomuar të cilët i parapërgatisin për mësimdhënie.

“Zgjat pesë javë, 200 orë trajnim që është i akredituar nga Ministria e Arsimit” – thotë Gashi.

Ai tutje ka treguar edhe për një projekt që ka “Teach for Kosova”, i cili është për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve. Sipas Gashit, kjo shpeshherë keqkuptohet duke u menduar si testim i mësimdhënësve.

“Nuk është aspak testim, është për me e pa se çka po ndodh brenda në klasët e shkollave të Kosovës” – thotë Gashi.

Ai tutje shton se ky vlerësim bëhet në tri mënyra.

Një mënyrë sipas Gashit është vëzhgimi prej njerëzve kompetentë brenda shkollës, pra vëzhgim në klasë nga drejtori i shkollës apo koordinatori i cilësisë.

Gashi tha që është edhe një pyetësor që bëhet nga vetë mësimdhënësi.

Ai tutje thotë se një pjesë jetike e projektit është edhe vlerësimi prej anës së nxënësëve, diçka që sipas Gashit nuk ka ndodhur më herët në Kosovë.

“E kemi një pyetësor për nxënës që përfshin 35 pyetje që lidhen me çka po ndodh brenda në klasë” – tha ai.

Tutje Gashi tregoi se deri në vitin tjetër mund të mblidhen informata që të tregohet ae çka po ndodh brenda në klasat e shkollave.