Nagavci: Buxheti për arsim për vitin 2023 do jetë mbi 83 milionë euro

Ministria e Arsimit pritet të ketë buxhet prej 83 milionë euro për vitin e ardhshëm, në 2023.

Kështu ka njoftuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci derisa ishte duke raportuar në komisionin për arsim.

Po ashtu ajo ka shtuar se edukimi në parafillor është i obligueshëm për të gjithë fëmijët.

Nagavci ka treguar se është miratuar udhëzuesi për ushqyeshmëri të shëndetshme në fëmijëri të hershme.

Sipas Nagavcit, është parapa buxhet për vitin e ardhshëm për ndërtim të shkollave dhe çerdheve.

“Në niveli parauniversitar kemi zhvillu politika të reja, kemi mbështet mësimdhënës me probleme shëndetësore. Për vitin 2022 kemi ndarë buxhet për asistentë për fëmijë më nevoja të veçanta, për 2023 kemi ndarë po ashtu buxhet për asistentë tjerë” – tha ajo.

Gjatë raportimit Nagavci tha se kanë finalizuar edhe ligjin për tekste shkollore.

“Për herë të para u kemi mundësuar edhe fëmijëve në Luginë të Preshevës që të kenë tekste shkollore. 350 mijë euro kemi i ndarë për organizata që punojnë me fëmijë me nevoja të veçanta. Është rritur buxheti për arsim, për vitin 2023 do jetë mbi 83 milionë euro”- tha ajo.

Ministrja shtoi se kanë parapa 6.5 milionë euro për mjete teknologjike në shkolla, 6.5 milionë për ndërtim të çerdheve të reja dhe 300 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta.

Sipas saj do të jenë 59 këshilltarë të karrierës, për herë të parë në vitin 2023, 30 specialistë të IT-së do punësohen për nevoja të shkollave, do të ketë investim në sistemin antiplagjiatë për arsim të lartë.

Sipas ministres sa i përket psikologëve qeveria ka miratuar 520 pozita, por sipas saj mjetet nuk janë përdorur në mënyrën e duhur nga komunat, pasi mbi 300 sosh nuk janë punësuar.

Nagavci tregoi se 20 inspektorë të arsimit po ashtu do punësohen.