Shfaqja që Kundërshton Barrierat Kosovë- Bosnjë

“Zemra e huaj” është shfaqja e regjisorit boshnjak Dino Mustafiq që trajton çështjen e vizave në mes të Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Regjisori ka vënë në pah procedurën e marrjes së një vize që është shumë e lodhshme e ndodhë të rezultojë edhe e pamundur.

Premiera e kësaj shfaqje në të cilën luajnë aktorë shqiptarë, boshnjakë e serbë është dhënë në Sarajevë më 6 janar, ndërsa sonte do të jepet në Prishtinë e muajin tjetër në Beograd.

Kosovarët kanë probleme për t’u pajisur me vizë të Bosnjës për shkka se sarajeva zyrtare nuk i njeh pasaportat e Kosovës.

Në shenjë reciprociteti, edhe qeveria e Kosovës, në vitin 2013 i ka futur shtetasit e Bosnjës në listën e atyre shteteve që duhet të pajisën me vizë kosovare për të hyrë në Kosovë.

Për rrjedhojë, një kosovar që planifikon një udhëtim në Bosnjë duhet të pajiset me vizë në ambasadën e Bosnjës në Shkup, ndërsa një shtetas i Bosnjës që planifikon të vijë në Kosovë duhet të pajiset me vizë në ambasadën e Kosovës në Tiranë.

Për këtë Mustafiq thotë se do të përmbushet një qëllim i grupit artistik.

“Në këtë mënyrë do ta rrumbullakojmë këtë trekëndëshin me arsyen se përse ne nuk duhet të kemi viza ndaj vetvetes”, tha Mustafiq.

Ai tha se kjo është pyetje për të drejtat elementare të njeriut.

“Një numër i madh i të rinjve dorëzohen, nuk shkojnë në Bosnje ose e kundërta”, tha ai.

Sipas tij, kjo është një vazhdimësi e izolimit të qytetarëve të Kosovës dhe se kjo shfaqje nuk flet vetëm për problematikën e vizave mes të dy shteteve por edhe për edhe për raportin e Evropës ndaj këtyre dy vendeve.

“Mendoj që është skandal i madh që vetëm kosovarët kanë nevojë për viza për Evropë” tha ai.

Ndërsa aktori kosovar Alban Ukaj tha se është punuar në atë se çka janë kufijtë në kokat e të dy popujve.

“Kjo shfaqje është e punuar  më shumë për publikun e Sarajevës dhe Beogradit por është me shumë rëndësi me pa edhe publiku i Prishtinës, me pa se cilat janë mendimet tona rreth këtij problemi”, tha Ukaj.

Shfaqja “Zemra e huaj – Traktat teatror për kufijtë” me tekst nga Biljana Srbljanovic do të jepet sonte në Prishtinë.

Në rolet kryesore luajnë Alban Ukaj, Jelena Kordic Kuret, Armend Smajli, Adriana Matoshi, Jusuf Brlic.