Foto: Facebook/MKRS.

MKRS: Nesër nënshkruhet marrëveshja kulturore me Austrinë

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur kanë arritur marrëveshjen për një program bashkëpunimi kulturor për vitet 2024–2027 me Austrinë.

Përmes një njoftimi në Facebook, MKRS ka bërë të ditur se marrëveshja që vulos këtë bashkëpunim do të nënshkruhet nesër.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për dy ditë është nikoqire e delegacionit austriak, të udhëhequr nga Ambasadori Christoph Thun-Hohenstein dhe Ministria Federale për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare. Takimet dypalëshe kanë filluar sot për të komentuar marrëveshjen e re tri-vjeçare për bashkëpunim kulturor ndërmjet dy shteteve i cili do të nënshkruhet ditën e nesërme”- thuhet në njoftimin e MKRS-së.

MKRS thotë se kjo marrëveshje në mes të Kosovës dhe Austrisë përfshinë një bashkëpunim në shumë fusha kulturore.

“Programi përfshin bashkëpunimin në shumë fusha, duke thelluar lidhjet me institucione të ndryshme, përfshirë muzetë, bibliotekat, galeritë, arkivin shtetëror, partneritete të drejtpërdrejta në mes institucioneve të arsimit të lartë dhe stafit akademik, shkëmbimin midis artistëve, bashkëpunimin në fushën e filmit, muzikës dhe ngjarjeve kulturore” – thuhet në njoftimin e MKRS-së në Facebook.

Marrëveshja sipas njoftimit, shënon një moment të rëndësishëm dhe hap rrugën për thellim të bashkëpunimit në fushat e kulturës, trashëgimisë kulturore, rinisë dhe sportit, si dhe sjellë mundësi e njohje të reja, siç thuhet në njoftim, duke e pozicionuar vendin në skenën ndërkombëtare e duke mundësuar zhvillim të qëndrueshëm.

Sipas njoftimit gjatë ditës së sotme, zyrtarët e MKRS-së do të shoqërojnë delegacionin austriak në vizitat dhe takimet bilaterale në institucionet e kulturës dhe arsimit.