Foto: MKRS

Nënshkruhet marrëveshja për bashkëpunime kulturore Kosovë-Austri

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka bërë të ditur se ka nënshkruar sot marrëveshjen e programit për bashkëpunim kulturor me Ministrinë federale të Austrisë për Çështjet Europiane dhe Ndërkombëtare.

Ministri Hajrulla Çeku priti sot në takim delegacionin austriak, të udhëhequr nga ambasadori Christoph Thun-Hohenstein dhe së bashku diskutuan për partneritetin e deritanishëm dhe programin e ri për bashkëpunim kulturor për vitet 2024-2027.

“Universitetet, institucionet shkencore dhe kulturore në Kosovë dhe Austri, po thellojnë bashkëpunimin e tyre përmes një marrëveshje të nënshkruar sot nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria Federale e Austrisë për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare” – thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Përmes marrëveshjes së nënshkruar, sipas MKRS-së, të dyja palët janë dakorduar për bashkëpunim ndërmjet institucioneve kulturore, përfshirë muzetë, bibliotekat, galeritë, arkivin shtetëror. Pastaj, për kontakte të drejtpërdrejta mes artistëve, shkëmbimin e ekspertëve dhe shkëmbimin e përvojave në të gjitha fushat e artit, filmit, muzikës, në fushën e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale si dhe për bashkëpunim për ngjarjet rinore e sportive.