Bilall Sherifi

Sherifi: Kosova duhet të kërkojë nga Serbia njohjen e vendimit të GjND-së

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi tha në seancën e sotme të Kuvendit se në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, Kosova duhet të hyjë si shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga mbi 114 shtete dhe i legjitimuar nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Kosova duhet të angazhohet në dialog se dialogu është mjet i patjetërsueshëm për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në këtë pjesë së Europës. Për të shmangur vështirësitë e dialogut pjesëmarrja aktive e ShBA-së në këtë proces është i domosdoshëm”, ka thënë Sherifi.

Sipas tij delegacioni i Kosovës qysh në takimin e parë duhet të kërkojë nga Serbia njohjen e vendimit të GjND-së të cilin e ka kërkuar vetë.

“Delegacioni duhet të kërkojë nga BE që të ushtrojë ndikimin e plotë ndaj pesë shteteve të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Normalizimi i marrëdhënieve duhet të hapë perspektiven e dy vendeve për integrimin euroatlantik”, ka theksuar Sherifi.

Bilall Sherifi është shprehur se partia e tij insiston në një konsensus nacional, që të ketë një platformë të përbashkët dhe menjëherë pas kësaj të krijohet një ekip gjithëpërfshirës nga forcat politike parlamentare për fillimin e fazës përfundimtare të dialogut.

“Nisma Socialdemokrate insiston që asnjë marrëveshje të mos nënshkruhet nga ekipi negociator para se për të të debatohet në Kuvend”, ka përfunduar Sherifi.

KALLXO.com transmetoi LIVE seancën e Kuvendit.