Zahir Tanin, shef i UNMIK-ut - Foto: REL/AFP

Shefi i UNMIK-ut i shqetësuar ‘seriozisht’ me ngjarjet në veri, kërkon heqjen e taksës prej 100%

Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, ka reaguar lidhur me zhvillimet e sotme në veri të Kosovës si dhe ato që ndërlidhen me vendosjen e taksës prej 100% ndaj mallrave serbe e boshnjake nga Qeveria e Kosovës.

Përmes një komunikate, përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së ka thënë se është duke përcjellë me “shqetësim serioz” ngjarjet e fundit që kulmuan sot me dorëheqjet e shpallura nga kryetarët e katër komunave veriore.

Sa u përket tarifave ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja, Tanin thekson se veprimet e tilla paraqesin shkelje të qartë të marrëveshjes CEFTA dhe duhet të tërhiqen.

Zahir Tanin u ka bërë thirrje udhëheqësve nga të gjitha palët të demonstrojnë përmbajtje më të madhe dhe t’i shmangen çfarëdo provokimi tjetër që do të mund të rrezikonte mundësinë e normalizimit të raporteve dhe potencialisht të rriste tensionet.

Gjatë ditës së sotme, në shenjë proteste ndaj taksës prej 100 për qind të vendosur nga autoritetet e Kosovës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, kryetarët e Zubin Potokut, Leposaviqit, Mitrovicës Veriore dhe Zveçanit kanë dhënë dorëheqje nga funksionet e tyre.

https://kallxo.com/kryetari-i-zubin-potokut-arsyetyon-doreheqjen/

www.kallxo.com