Shefi i Prokurimit në Prizren mohon akuzat për tenderin për shenjëzimin e rrugëve

Kallxo.com në shkurt të vitit 2019 ka raportuar për zbatimin e kundërligjshëm të kontratës nga Komuna e Prizrenit.

Një tender maratonik për shenjëzimin horizontal të rrugëve në Prizren përveç se zvarriti rregullimi e synuar të trafikut të këtij qyteti, u përmbyll me shkelje ligjore dhe mosrespektim të vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Mytaher Haskuka zbaton kontratën e kundërligjshme të Ramadan Mujës

Në muajin maj, KALLXO.com raportoi se Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj Isa Osmankaj, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Isa Osmankaj, udhëheqës i sektorit të prokurimit në Komunën e Prizrenit, ka mohuar akuzat e Prokurorisë duke u deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare.

Gjatë kohës kur Prokurorja Ervehe Gashi po lexonte aktakuzën, i akuzuari Isa Osmankaj duke lëvizur me kokë mohonte akuzat e prokurorisë.

Në bazë të aktakuzës i akuzuari prej muajit maj 2017 deri në maj të 2018-ës, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, nuk i ka përmbushur kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër.

Aktakuza përshkruan se i akuzuari Isa Osmankaj, me dije e ka shkelur ligjin lidhur me detyrat e tij si dhe i ka tejkaluar kompetencat e tij, pasi që duke vepruar në kundërshtim me dispozitat e ligjit mbi Prokurimin publik, ka lejuar implementimin e një kontrate që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e kishte shpallur nule ose jo ekzistente.

Sipas Prokurorisë në këtë mënyrë, i pandehuri ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit mbi Prokurimin Publik dhe me dispozitat e Ligjit mbi Financat Publike, duke i mundësuar Operatorit ekonomik zbatimin e një kontrate jo ekzistente në vlerë prej 358,039.06 euro, nga e cila kontratë deri me datën e kryerjes së ekspertizës janë realizuar punë në vlerë prej 163,254.72 euro.

Prokurorja Ervehe Gashi që përfaqëson aktakuzën, ka propozuar gjithashtu që ndaj të pandehurit Isa Osmankaj t’i shqiptohet dënimi plotësues Ndalim i ushtrim të funksionit në Administratë Publike.

Në aktakuzën ndaj Isa Osmankajt shkruhet se BIRN dhe Interneës Kosova, në zyrën e kryeprokurorit të shtetit kanë parashtruar informacion lidhur me shkeljet ligjore në tenderin ”Shenjëzimi horizontal e vertikal dhe vendosa e barrierave në rrugët e Prizrenit ”.

Pas shqyrtimit të gjithmbarshëm prokurori i shtetit ka ardhur në përfundim se objekt i veprës penale janë shkeljet ligjore në tenderin ”Shenjëzimi horizontal e vertikal dhe vendosa e barrierave në rrugët e Prizrenit ”.

KALLXO.com ka raportuar se kontrata që peshon 358 mijë euro ishte nënshkruar në muajin korrik të vitit 2017, gjatë kohës kur kryetar i Komunës së Prizrenit ishte Ramadan Muja. OSHP-ja kishte vendosur për ta shfuqizuar këtë kontratë, pasi sipas tyre nënshkrimi i kontratës me këtë operator është bërë në mënyrë të kundërligjshme.

Por, kryetari aktual i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka vendosur ta zbatojë këtë kontratë.

Haskuka, kishte thënë se është i detyruar të zbatojë kontratën për shkak të interesit publik për mos zgjatje të procedurave për shërbimin e blerë dhe pasi sipas tij një kontest eventual gjyqësor për këtë çështje do ta bënte humbëse Komunën e Prizrenit.