FOTO MTI

Shala: Ne po krijojmë infrastrukturë për bizneset e interesuara të investojnë në Kosovë

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala mori pjesë në simpoziumin lidhur me investimet në Kosovë, të organizuar nga Klubi afarist France Albanie Bussiness (FAB) dhe Klubi afarist frankofon në Kosovë (KOCAF).

Në fjalimin e tij në këtë simpozium, ministri Shala tha se Kosova si një shtet i ri ka sfida të mëdha përpara vetës, të cilat kanë të bëjnë më shtet ndërtimin dhe me krijimin e përvojave apo praktikave në mënyrë që të ecim hapave të sigurt të zhvillimit. Ai shtoi se qeveria e Kosovës po bën hapa të rëndësishëm në adresimin e këtyre sfidave.

“Raporti i fundit i Bankës Botërore ka treguar se ne si MTI kemi bërë reforma të thella në përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe Kosova renditet e 10-ta në botë sa i përket regjistrimit të biznesit”, tha Shala.

Gjithashtu Shala shtoi se sot, ne jemi në krijim e sipër të një infrastrukture moderne ligjore, e cila është në përputhje me të gjitha direktivat evropiane.

“Në Kosovë kemi një sistem takse më të lehtë dhe më të gjerë në rajon, që po na bën më atraktiv për investitorët e jashtëm. Kosova po vazhdon të krijojë zona ekonomike më të gjithë infrastrukturën përcjellëse për t’iu ofruar kushte sa më të mira bizneseve që janë të interesuara të punojnë në Kosovë. Për Kosovën vendet frankofone, sidomos Franca është ndër partnerët kryesorë politikë dhe ekonomikë të vendit dhe jam i lumtur sot t’ju them se kemi krijuar hapësirë për të rritur bashkëpunimin ekonomik, përmes krijimit të kushteve që këta investitorë ta kenë Kosovën një vend ideal për investime”, potencoi Shala.

Poashtu ministri Shala ka bërë të ditur se tashmë është jetësuar Ligji për investime strategjike dhe se investitori i parë tashmë ka marrë statusin e investitorit strategjik dhe së shpejti do të fillojë investimin në energji me erë. Më tej, ministri Shala sqaroi se Ligji për investime strategjike përmban lehtësira administrative, procedurale dhe investitorët potencialë e kanë rrugën e hapur. Duke theksuar se një investitor francez, që do të hyjë si investitor strategjik në kuadër të Ligjit për Investime Strategjike, i cili do të investojë në energji të ripërtritshme, e që do të ndikojë direkt në arritjen e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian në mënyrë që të arrijmë njëzet për qindëshin e prodhimit të energjisë së ripërtritshme.